Thaçi: Me ndërkombëtarët nuk arritëm ta ndryshojmë Kushtetutën për FSK-së

Thaçi: Me ndërkombëtarët nuk arritëm ta ndryshojmë Kushtetutën për FSK-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se puna e përbashkët mes bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës për formimin e ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese nuk u arritën, prandaj u desh që institucionet vendore të marrin vendim.

“E ritheksoj edhe njëherë që e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka punuar me ne që të ndodhin ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë, mirëpo këto nuk ndodhën dhe bashkësia ka një qëndrim shumë të qartë, në fund të fundit është vendim i institucioneve vendore për formën dhe themelimin e ushtrisë”, ka thënë presidenti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai ka thënë se vendimin e ka marrë duke e parë rrezikun e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Është e vërtetë që Ballkani Perëndimor po përballet me një situatë të palakmueshme, të paqëndrueshme, me kriza të brendshme politike, me një vonesë të pajustifikueshme të Bashkimit Evropian për zgjerimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.

“Një vonesë e tillë po ndodh edhe me Kosovën për fat të keq dhe në kuadër të këtyre vonesave krejt teknike e burokratike të BE-së, kemi lindje të ekstremizmave të formave të ndryshme, të nacionalizmave, por edhe të pretendimit për ndikim të Rusisë në gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë më tej ai në këtë intervistë.

Presidenti ka thënë se Brukseli duhet të ketë një qasje më të shpejtë dhe më strategjike për rajonin që të integrohet, duke shtuar se nuk është e justifikueshme të tregohet si nuk mund të integrohemi, por duhet të jepen mesazhe si mund të integrohemi sa më shpejt.

Thaçi beson se shumë shpejt projektligji për FSK-së do të procedohet në Kuvend për miratim.

“I bëjë thirrje gjithë spektrit politik të Kosovës pa dallime ideologjike dhe partiake, të bëhemi bashkë për interesin e shtetit, për interesin e qytetarëve të Kosovës, për interesin e së ardhmes së anëtarësimit të Kosovës sa më shpejt në NATO. Nuk ka anëtarësim të Kosovës në NATO pa ushtri. Dua të besoj që kjo çështje do të bashkojë spektrin politik të Kosovës pa dallim etnik apo partiak”, ka thënë presidenti Thaçi./Insajderi.com