Thaçi: NATO nuk na pranon me shoqatë të gjahtarëve, por me ushtri

19.03.2017 08:24
Thaçi: NATO nuk na pranon me shoqatë të gjahtarëve, por me ushtri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon ta mbrojë qëndrimin e vet rreth transformimit të FSK-së. Ai ka thënë se kjo është shumë e nevojshme, duke marrë parasysh tensionet që po krijohen vazhdimisht në rajon.

Ai ka thënë se në NATO nuk ka mundësi tjetër të anëtarësohemi përpos me ushtri. Sipas tij, atje askush nuk të pranon me shoqatë të gjahtarëve apo të zjarrfikësve.

“Askush nuk pranon në NATO me zjarrfikës, shoqatë të gjuetarëve apo ndonjë shoqatë tjetër, ku ta di, për shembull të peshkatarëve”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Konica.al.

Presidenti vlerëson se Kosova është e zonja e vetvetes dhe mund të marrë vendime të rëndësishme për vendin.

Sipas tij, Kosova nuk mund t’i paguajë dështimet që ndodhin në vendet e rajonit.

“Mirëpo Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave të Ballkanit: nëse Bosnjë- Hercegovina është e bllokuar nga nacionalizmi serb, atëherë natyrisht që gjërat janë të ndërlidhura edhe në rajonin tonë, por pse ta paguajmë çmimin ne? Nëse Serbia e ka rrit nacionalizmin e vet, zhvillon një fushatë elektorale kryekëput nacionaliste, nëse Serbia ka hapur mendje, shpirt dhe gjithçka çka ka për prezencën ruse, pse Kosova të paguajë çmimin?”, ka thënë ai.

“Nëse Mali i Zi pengohet nga Serbia për t’u anëtarësuar në NATO, që e gjithë Kosova e mbështet fuqishëm Malin e Zi për anëtarësim, pse Kosova të paguajë çmimin? Nëse Shqipëria ka problemet e veta politike, pse Kosova të paguajë çmim? Nëse Maqedonia me fajin e vet është bllokuar politikisht dhe i ka të ndera raportet ndëretnike, pse Kosova të paguajë çmim? Kosova është e zonja e vetes, merr vendimet vetë, është vend sovran dhe ne nuk duam asgjë, as më pak, as më shumë, vetëm të kemi ushtri sikur vendet e tjera të rajonit”, ka thënë ndër tjera presidenti në këtë intervistë.