Thaçi thotë se e gjithë bota po merret me zgjedhjen e tij president

Thaçi thotë se e gjithë bota po merret me zgjedhjen e tij president

Zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Jashtme, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për president të Kosovës, ka shkruar një status në Facebook, nëpërmjet të cilit ka vazhduar debatin e “të festosh” apo “të protestosh” nesër kur ai do të tentojë të zgjidhet president.

Madje Thaçi ka përshtypjen se me zgjedhjen apo jo të presidentit, përpos Kosovës po merret e gjithë bota.

“Nesër bota do t’i ketë sytë nga ne, të tregojmë pjekuri shtetërore dhe qytetare”, ka shkruar Thaçi, në një status të publikuar 1 orë pas shefit të tij, kryeministrit Isa Mustafa në të cilin ai shkroi gjëra banale ndaj kundërshtarëve të tij.

Thaci është treguar megaloman kur ka falënderuar në fillim të  postimit duke pretenduar se qytetarët kanë shprehur masovikisht gatishmërinë për të ardhur në Prishtinë nesër, për të festuar zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Duke folur për vetën në vetën e tretë, Thaçi ka thënë se nesër “duhet të jetë ditë e vërtetë e festës së demokracisë dhe tranzicionit të suksesshëm në respekt të Kushtetutës sonë dhe vlerave më të larta evropiane, përmes një procesi transparent dhe demokratik”.

“Nesër është dita kur Kosova do t’i dëshmojë tërë botës se respekton institucionet, Kushtetutën dhe proceset demokratike. Do te jem gjithmonë me ju dhe pranë jush”, ka shkruar Thaçi.

Më tej në postimin e tij Thaci ka folur për rrugën që ka bërë Kosova gjatë këtyre viteve dhe ka lutur kosovarët që të festojnë nëpër shtëpitë e tyre, zgjedhjen e tij president të Republikës së Kosovës.