Thaçi me të birin i takoi personalisht dy nga “gylenistët” e kidnapuar në Kosovë

Hashim Thaçi ishte takuar personalisht para katër viteve me dy nga "gylenistët" e arrestuar të enjtën në Kosovë. Bëhet fjalë për drejtorin e Përgjithshëm të Rrjetit Edukativo-Arsimor "Gulistan", Mustafa Erdem dhe zëvendësdrejtorin Jusuf Karabina.

Thaçi me të birin i takoi personalisht dy nga “gylenistët” e kidnapuar në Kosovë

Më 13 mars të vitit 2014, Hashim Thaçi kishte marrë pjesë në një mbledhje të prindërve në shkollën “Mehmet Akif” në Lipjan. Asokohe kryeministër, Thaçi ishte paraqitur në mbledhje për t’u interesuar lidhur me mësimet e djalit të tij, Endritit.

Thaçi, atë ditë ishte takuar me katër mësimdhënës të shkollës “Mehmet Akif”, në të cilën vijonte mësimet djali i tij. Ai kishte publikuar një fotografi në rrjetin social Instagram, teksa kishte njoftuar për takimin me mësimdhënësit e shkollës.

“Pas një dite të gjatë pune, sot pasdite mora pjesë në mbledhjen e prindërve me arsimtarët në shkollën e Endritit”, kishte shkruar Thaçi në përshkrimin e fotografisë, teksa kishte thënë se është kënaqur nga takimi me zyrtarët e shkollës. “U kënaqa, por nuk po hyj në detaje për komentet e marra nga mësuesit. #Kosova, #shkollat, #arsimi”.

Në atë takim, në të cilin Hashim Thaçi kishte thënë të jetë kënaqur, kishin qenë të pranishëm edhe zëvendësdrejtori i rrjetit shkollor “Gulistan”, Jusuf Karabina dhe drejtorin e këtij rrjeti Mustafa Erdem, të cilët u arrestuan të enjtën e 29 marsit në Kosovë.

Insajderi ka mësuar nga burime brenda Rrjetit Edukativo-Arsimor “Gulistan” se në fotografi ndodhen dy “gylenistët” e arrestuar: Jusuf Karabina dhe Mustafa Erdem.

“Aty [në fotografi, v.j] janë Jusuf Karabina dhe Mustafa Erdem. Dy nga të kidnapuarit”, ka thënë ky burim për Insajderin.

“Aty është edhe mësuesi kujdestar i Endritit, i cili nuk është arrestuar dhe momentalisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë për Insajderin zyrtari i Rrjetit Edukativo-Arsimor “Gulistan” në kushte anonimiteti.

Në fotografinë e publikuar nga vet Thaçi katër vite më parë, Karabina dhe Erdem shihen të ulur përball tij në pjesën e majtë të fotografisë.

Për arrestimin dhe dëbimin nga Kosova në Turqi të Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, krerët e vendit thanë se s’kanë qenë aspak të informuar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të enjtën deklaroi se nuk kanë qenë në dijeni për aksionin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Policisë së Kosovës.

Por, më vonë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, falënderoi Thaçin për arrestimin e “gyelinstëve”. Ai e falënderoi Thaçin që ia dorëzoi turqit, të cilët ai i akuzon si pjesëtarë të lëvizjes së Fethullah Gylenit, e cila konsiderohet lëvizje terroriste në Turqi. /Insajderi.com

  • Emisionin Patriotët e Çmendur të InDoks, shikojeni në këtë LINK