Thaçi mburret në SHBA: Ndërtuam 800 kilometra autostradë pa asnjë cent borxh

Thaçi mburret në SHBA: Ndërtuam 800 kilometra autostradë pa asnjë cent borxh

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po qëndron në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Forumin Botëror Strategjik në Majami, ku të enjten ka mbajtur një fjalim.

Në një postim të tij në Facebook, presidenti Thaçi ka treguar sesi është mburrur me faktin se Kosova ka borxhin më të vogël në Evropë.

“Pa marrë asnjë cent borxh, në kohë rekorde ndërtuam mbi 800 kilometra rrugë e autostrada dhe sot kemi borxhin me të ultë publik në Evropën Lindore”, ka shkruar Thaçi, duke treguar se çka ka folur në fjalën e tij në këtë forum.

Ai ka shkruar se në fjalimin e tij ka shpalosur përvojën e “shtetndërtimit të Kosovës, energjinë, infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik”.

“Kosova është bërë shtet në kohën e krizës ekonomike që kishte kapluar shtetet e botës dhe rajonit tonë, por sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, asokohe ne shënuam rritjen më të madhe ekonomike në Evropë”, ka shkruar Thaçi.

Në Forumin Botëror Strategjik presidenti ka thënë se ka theksuar se “pa siguri nuk mund të ketë as ekonomi të fuqishme dhe ky leksion vlen si për superfuqi, siç është Amerika, ashtu edhe për shtete të vogla si Kosova”./Insajderi.com