Thaçi: Lista Serbe më lehtë e kanë pranuar pavarësinë se formimin e ushtrisë  

15.03.2017 22:22
Thaçi: Lista Serbe më lehtë e kanë pranuar pavarësinë se formimin e ushtrisë   

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe një herë se deputetët e Listës Serbe janë kategorikisht kundër krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Thaçi madje ka thënë se njëri nga deputetët e Listës Serbe i kishte thënë se më lehtë e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës se sa Ushtrinë e Kosovës.

“Njëri nga ta më thënë se më lehtë e kemi pranuar pavarësinë e Kosovës se sa që do ta pranonin themelimin e ushtrisë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tha se ai dhe pjesëtarë tjerë të kabinetit qeveritar kanë diskutuar me deputetët serbë, por ata tha se e kanë bërë të qartë se nuk e votojnë themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Thaçi, në rtv21 ka thënë se nuk ka asnjë mospajtim mes institucioneve të Kosovës, SHBA-ve dhe NATO-s.

Sot gjatë ditës Ambasadori i Amerikës Greg Delawie e ka cilësuar të papranueshme mënyrën se si po punohet për krijimin e ushtrisë. Po ashtu ai ka demantuar presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli, se janë koordinuar me SHBA-të./Insajderi.com