Thaçi: Kur serbët ishin pro formimit të ushtrisë, atë e penguan partitë shqiptare

Thaçi: Kur serbët ishin pro formimit të ushtrisë, atë e penguan partitë shqiptare

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në kohën kur deputetët serbë ishin pro formimit të ushtrisë në vitin 2014, ishin partitë tjera politike shqiptare të cilat e bllokuan procesin.

“Unë edhe në vitin 2014 në kuadër të rishikimit të sektorit të sigurisë në Kosovë kam propozuar në atë kohë dhe kemi pasur miratimin e plotë të të gjithë faktorit relevant ndërkombëtar, që të kemi shndërrimin nga Forca e Sigurisë, në Forca të Armatosura të Kosovës. Për fat të keq, atëherë, për shkak të çështjeve të ndryshme të brendshme të politikës shqiptare në Prishtinë, nuk ndodhi”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Thaçi, aktualisht president i vendit, ka thënë se këtë proces e përkrahnin edhe serbët.

“Në atë kohë serbët e kanë mbështetur themelimin e Forcave të Armatosura si dhe të gjitha komunitetet tjera, ndërsa tash e tri vite jemi në pritje të një përgjigje tjetër tanimë nga deputetët e Listës Serbe dhe të cilët janë deklaruar shumë qartë se kurrë nuk do ta votojnë themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ky qëndrim i Listës Serbe, sipas Thaçit, është i dirigjuar direkt nga qeveria e Beogradit.

“Fati i Kosovës nuk është i lidhur me fatin e asnjë kryeqyteti të rajonit. Jemi vend i pavarur dhe sovran që marrim vendimet tona. Lista Serbe nuk ka qenë e gatshme të votojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të votojë ligjin për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, një ushtri jo vetëm e shqiptarëve, por një ushtri shumë etnike dhe në shërbim të të gjithëve”, ka thënë ndër tjera presidenti në këtë intervistë./Insajderi.com