Thaçi krenohet me vizitën pa incidente të Vuçiqit

Thaçi krenohet me vizitën pa incidente të Vuçiqit

Presidenti Hashim Thaçi është krenuar me përmbylljen pa incidente në Kosovë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, duke e quajtur një “sjellje civilizuese” sjelljen e qytetarëve të Kosovës gjat kësaj vizite.

Ai madje ka thënë se bazuar në këtë sjellje, Kosova do të luftojë edhe më shumë që të arrijë një marrëveshje historike me Serbinë.

Ja shkrimi i tij i plotë:

Duke përjashtuar disa nga deklaratat populiste, të cilat janë pothuajse të pashmangshme në vizita të tilla, vizita e homologut nga Serbia u përmbyll pa asnjë incident.

Kjo sjellje civilizuese dhe tolerante dëshmon pjekurinë tonë qytetare dhe shtetërore. Toleranca dhe mirëkuptimi duhet të mbesin parime udhëheqëse edhe kur janë në pyetje marrëdhëniet ndërshtetërore në rajonin tonë.

Duke u bazuar në këto parime, Republika e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, deri në arritjen e marrëveshjes historike për paqen dhe pajtimin.

Një marrëveshje e tillë është e domosdoshme, sepse ajo sjellë perspektivë të qartë për integrime euroatlantike për të dy shtetet.

Më vjen mirë që edhe homologu nga Serbia, gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, ka theksuar disa herë rëndësinë e dialogut, si rrugën e vetme për normalizim dhe pajtim.

Prandaj, unë besoj që shumë shpejt do të vazhdojmë dialogun ndërshtetëror në nivelin më të lartë politik, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja. HTH