Thaçi: Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane

Thaçi: Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane

Presidenti Hashim Thaçi me rastin e festës së 28 Nëntorit, ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane.

“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor”, ka shkruar presidenti në llogarinë e tij në Facebook.

“Bashkë me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ne sot e festojmë edhe ditëlindjen e komandantit tonë të madh, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithë shqiptarëve anekënd botës, ua uroj festat e krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës.

“Dhe sot, simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”, shkruan Thaçi.