Thaçi – komisionerit Hahn: Juve nuk ju bëhet vonë kurrë për Kosovën

Thaçi – komisionerit Hahn: Juve nuk ju bëhet vonë kurrë për Kosovën

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratës së komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian Johannes Hahn, i cili sot deklaroi se janë të papranushme deklaratat për ndryshim të kufijve në Ballkan, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të Thaçit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Thaçi u shpreh se deklarata e Hahn “dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën.

Thaçi deklaroi se BE-së nuk po i bëhet vonë për Kosovën.

“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”, deklaroi presidenti kosovar.

Sipas presidentit të Kosovës, projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës serbe.

“Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së. Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi dërgoi edhe një porosi për Bashkimin Evropian.

“Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, u shpreh ai.

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, tha sot në Bruksel se janë të papranueshme dhe kundërproduktive deklaratat e disa liderëve në rajon që thërrasin për ndryshimin e kufijve. /Insajderi.com