Thaçi: Koalicioni po duket stabil, s’kam kërkesa për zgjedhje

Thaçi: Koalicioni po duket stabil, s’kam kërkesa për zgjedhje

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se deri më tani koalicioni qeverisës po duket

të jetë stabil sa i përket fuqisë së numrave në Kuvend, por edhe si fuqi politike.

“Aktualisht nga ajo që shoh dhe kuptoj, mazhoranca ka një fuqi në kuptimin edhe të numave, edhe fuqi politike, dhe e shoh që është një mirëfunksionim i institucioneve”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, në zgjedhje mund të shkohet vetëm nëse

koalicioni e humbë fuqinë në Kuvend, apo nëse ka marrëveshje për të shkuar në zgjedhje.

“Në zgjedhje mund të shkohet vetëm në dy mënyra: e para, nëse kjo mazhorancë e humb fuqinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, apo në rast të marrëveshjeve të tyre, unë si president i vendit jam i obliguar t’i kryej obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Thaçi.

Megjithatë, ai ka thënë se kërkesa të tilla ende nuk kanë ardhur në zyrën e tij, as nga partnerët e koalicionit, por as nga opozita.

“Diçka të tillë askush ende nuk është drejtuar në zyrën time, as nga partnerët e koalicionit, por as të partive tjera. Aktualisht jemi duke punuar në përcaktimin e datës së zgjedhjeve në Drenas, dhe besoj se nesër ose pasnesër do të konfirmohet data”, ka shtuar Thaçi.

Këto deklarime ai i bëri pas homazheve që bëri për dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, pikërisht te vendi ku ata ranë heroikisht.

 

http://https://vimeo.com/189935214