Thaçi: Klubi Frankofon do t’i mundësojë Kosovës të promovojë vlerat ekonomike

23.03.2017 13:05
Thaçi: Klubi Frankofon do t’i mundësojë Kosovës të promovojë vlerat ekonomike

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në hapjen e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë.

Ai ka thënë se hapja e këtij klubi e bën Kosovën pjesë të Frankofonisë dhe i gëzohemi mundësive që të thellojmë bashkëpunimin në të gjithë sektorët me vendet anëtare të këtij forumi të rëndësishëm botëror.

“Është shumë e nevojshme që bota të mësojë për potencialet e Kosovës, por edhe që afaristët kosovarë të përfitojnë nga përvojat dhe mundësitë që ofron bota sot. Klubi që po themeloni sot, përbën një forum të tillë në të cilin shkëmbehen përvoja, shkëmbehen informata, por edhe lidhen partneritete dhe marrëdhënie bashkëpunimi”, ka thënë presidenti Thaçi.

Qëllimi kryesor i shteteve frankofone është një zhvillim i qëndrueshëm që mbështetë zhvillimin e qeverisjes efikase, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin në mes shteteve, ka thënë Thaçi.

“Ky klub do të mundësojë që Kosova të promovojë vlerat ekonomike të vendit dhe mundësitë për investime edhe në shtetet më të largëta të aleancës së shteteve frankofone”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas Thaçit ekonomia e Kosovës po shënon rritje të vazhdueshme, përkundër sfidave të shkaktuara nga kriza financiare, e cila ka goditur globin qysh në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë.

“Kemi borxhin publik më të voglin në rajon. Kemi sistemin bankar më të qëndrueshëm. Këtë e konfirmojnë dhe vlerësojnë edhe organizatat ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim me BE-në, e cila ka hapur mundësi për qasje të lirë në tregun e madh të BE-së, për t’i intensifikuar shkëmbimet tona tregtare, por edhe për të krijuar mundësi për investime të reja në fusha të ndryshme”, ka thënë presidenti Thaçi.

Pjesëmarrës në hapjen e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë ishte si nikoqir edhe ambasadori francez,  Didier Chabert, kryeparlamentari Veseli, kryeministri Mustafa dhe përfaqësues të odave ekonomike dhe të komunitetit të biznesit në Kosovë.