Thaçi: Kemi pasur një takim të shkurtër me Vuçiqin, por më i rëndi në këto 6 vjet

Thaçi: Kemi pasur një takim të shkurtër me Vuçiqin, por më i rëndi në këto 6 vjet

Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalë rasti para gazetarëve në Bruksel, pas takimit që ka zhvilluar me homolgun e tij serb Aleksandër Vuçiq. Thaçi ka thënë se ka zhvilluar një takim të shkurtër me presidentin serb, që ai e ka cilësuar si takimin më të vështirë të këtyre viteve.

“Ne si delegacion i Kosovës sapo mbyllëm takimin me zonjën Mogherini. Pastaj zhvilluam një takim në nivel të presidentëve me prezencën e zonjës Mogherini. Ka qenë një takim i shkurtër, por jo shumë i lehtë. Ka qenë më i vështiri në këto 6 vite të fundit”, ka thënë Thaçi për gazetarët.

Thaçi është shprehur optimist për fazën finale të dialogut, duke thënë se sheh “dritë në fund të tunelit”. Njëkohësisht, Thaçi ka thënë se kjo do të jetë pjesa më e vështirë e dialogut.

“Kjo është faza më e vështirë, ngase Serbia ende jeton me mentalitetin e së kaluarës. Edhe Vuçiq duhet ta kuptojë se Kosova është shtet sovran, por duhet një marrëveshje përfundimtare kredibile, që do të jetë në të mirë të Kosovës dhe Serbisë. Tash do të shohim se si do të lëvizin gjërat në të ardhmen”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, duhet të arrihet një marrëveshje që hap perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe Serbinë, marrëveshje që lehtëson lëvizjen e lirë mes dy popujve, që sjell pajtim mes popujve.

“Pres që në të ardhmen të ketë vështirësi edhe më të mëdha, mendoj se do të vjen duke u rënduar tani që jemi në fund të maratonës së bisedimeve Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi.

“Serbia sa më herët që të lirohet nga ëndrrat e së kaluarës, atëherë do të jetë më e lehtë për të gjithë. Është e vështirë që në Serbi ende mendojnë se Kosova është pjesë e tyre. Ata duhet të lirohen nga kjo barrë historike. Duke parë këtë shkëputje nga realiteti në histori, mendoj se është shumë e vështirë sado që të kemi një marrëveshje të mire”, ka thënë Thaçi.

“Ne jemi këtu për të fituar jo për të humbur. Ne nuk jemi këtu për të mundur dikë, por jemi për të shkuar dy shtetet përpara. Rasti i marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë ka krijuar një frymë të re në Ballkan. Marrëveshja për pajtim dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është në interes të të dyja vendeve. Marrëveshja ka kuptim vetëm me njohjen përfundimtare të shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.