Thaçi insiston për ushtrinë: Do të bëhet me kushtetutë ose ligj

Thaçi insiston për ushtrinë: Do të bëhet me kushtetutë ose ligj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ushtria e Kosovës do të bëhet pasi që një gjë e tillë është vullnet i popullit.

“Definitivisht Forcat e Armatosura të Kosovës do të bëhen – me ndryshime kushtetuese ose me ligj. Unë mbështes angazhimin për ndryshime kushtetuese, por në të njëjtën kohë nuk lejoj që të mbesim peng i disponimit të Beogradit, e as të tre-katër individëve që ta mbajnë pezull apo ta pengojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë ai.

Këto komente të Thaçit vijnë pas një takimi të rregullt që ai ka pasur sot me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka kërkuar nga autoritetet kosovare të ndalojnë procesin e bërjes së ushtrisë në këtë fazë.

Tutje, Thaçi ka thënë se është e drejtë e jonë kushtetuese dhe ligjore formimi i ushtrisë dhe se “kjo është garanca për të ardhmen tonë, që të jemi pjesë e NATO-s.” “Ky është vullneti i dy milionë qytetarëve të Kosovës, është vullneti i të gjitha partive politike, i të gjitha institucioneve të Kosovës”./Insajderi.com