Thaçi: Incidenti në Mushtisht, krejtësisht i panevojshëm dhe i papranueshëm

Thaçi: Incidenti në Mushtisht, krejtësisht i panevojshëm dhe i papranueshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme skenat që janë parë të dielën në fshatin Mushtisht, në të cilin u organizua një protestë nga fshatarët e Mushtishtit me qëllim ndalimin e katër autobusëve me qytetarë serbë që dëshironin të vizitonin fshatin.

“Janë krejtësisht të panevojshme dhe të papranueshme skenat nga fshati Mushtisht”, është shprehur presidenti Thaçi, i cili ka shtuar se “këto veprime nuk janë as në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”.

I pari i vendit ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, në pronën e tyre. “Kjo vlen për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim etnie”, tha Thaçi, duke bërë thirrje që të gjithë të respektojnë këtë të drejtë.

“Çështja e të zhdukurve, e të zhvendosurve, e pronave të uzurpuara janë plagë të hapura nga lufta. Duhet t’i mbyllim sa më parë këto plagë dhe të kthehemi nga e ardhmja”, ka thënë Thaçi. /Insajderi.com