Thaçi: FSK është ushtria e ardhshme e Kosovës

Thaçi: FSK është ushtria e ardhshme e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës për Kërkim dhe Shpëtim të FSK-së, në fshatin Pomozotin të Fushë Kosovës.

Me këtë rat, Thaçi ka thënë se hapja e kësaj qendre është një e arritur e radhës e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe se kjo forcë gjithnjë e më shumë po forcohet në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale, të gatishmërisë për mbështetje të institucioneve, të komuniteteve, të OJQ-ve dhe të bashkëpunimit me partnerët tanë.

“Bashkëpunimi me partnerët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht me Gardën e Ajovës, me NATO-n dhe KFOR-in, reflektohet çdo ditë në ngritjen, forcimin dhe modernizimin e FSK-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

Intervenimet emergjente të FSK-së, qoftë në Kosovë apo rajon, sipas presidentit Thaçi, kanë treguar më së miri se sa të përgatitur janë pjesëtarët e saj, si në aspektin operacional, ashtu edhe në atë psikologjik dhe moral.

Duke iu referuar përfshirjes së pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, me një përbërje të avancuar gjinore, presidenti Thaçi tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është treguesi më i mirë edhe i karakterit të shtetit dhe shoqërisë sonë.

“FSK-ja është reflektim i vlerave të shoqërisë sonë. FSK-ja është ushtria e ardhshme e Kosovës”, tha ai./Insajderi.com