Thaçi flet për kishën ortodokse: Nuk duhet ta kopjojmë Millosheviqin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim komandantin e parë të KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Sir Michael David Jackson, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë. Gjatë takimit Thaçi ka folur edhe për çështjen e debatuar së kishës ortodokse që ndodhet në ambientet e Universitetit të Prishtinës.

Thaçi flet për kishën ortodokse: Nuk duhet ta kopjojmë Millosheviqin

“Dëshiroj të theksoj atë çka unë e mendoj si president i vendit. Ne në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë që të kopjojmë formën, metodat dhe stilin e Millosheviqit. Në asnjë rrethanë ne nuk duhet të lejojmë që nëse Millosheviqi ka rrënuar mbi 400 xhami, ka dëmtuar objekte të ndryshme të kishave katolike anë e kënd Kosovës, të teqeve të ndryshme. Ne njohim kushtet, rrethanat e disfavorshme të Kosovës kur ka filluar ndërtimi i këtij objekti në kampusin universitar”, ka deklaruar Presidenti Thaçi.

Më tej ai theksoi se, “Edhe unë kam protestuar dhe luftuar kundër regjimit të Millosheviqit dhe punës së tij apo veprimet e tij që i ka bërë në Kosovë”.

“Tash jemi në një rrethanë tjetër, jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Jemi në një situatë që duhet të komunikojmë me njëri-tjetrin, të bashkëbisedojmë me njëri-tjetrin dhe ky problem të zgjidhet përmes dialogut dhe përmes rrugëve institucionale dhe legale”, tha Thaçi. /Insajderi.com