Thaçi e Veseli mbështesin Malin e Zi për anëtarësim në NATO

Thaçi e Veseli mbështesin Malin e Zi për anëtarësim në NATO

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli i kanë dhënë mbështetje vendimit të Malit të Zi për anëtarësim në NATO.

Thaçi, përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se vendimi i kuvendit të Malit të Zi për anëtarësim në NATO është lajm i mirë për të gjithë rajonin.

“Vendimi i Kuvendit të Malit të Zi për anëtarësim në NATO është lajm i mirë për gjithë rajonin tonë. Kosova e ka përkrahur gjithnjë Malin e Zi në këtë hap të rëndësishëm, i cili është me ndikim të madh në sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Kosova ka qenë dhe mbetet promotore e fqinjësisë së mirë, me vizion të qartë integrimin euroatlantik”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq edhe Veseli ka thënë se ky vendim i deputetëve është hap i rëndësishëm për vetë Malin e Zi por edhe për Kosovën.

“Dua të uroj kolegët e Parlamentit të Malit të Z për votën historike që sapo kanë dhënë për anëtarësimin në Organizatën e Aleancës të Atlantikut Verior. Anëtarësimi në NATO është një hap i rëndësishëm, jo vetëm për shtetin tonë fqinj por edhe për Kosovën, duke e bërë rajonin tonë më të sigurt”, ka shkruar Veseli./Insajderi.com