“Thaçi e Veseli frikësosheshin në luftë” – rrëfimi i imamit që pretendon se i kishte bartur me traktor dy liderët e UÇK-së

“Thaçi e Veseli frikësosheshin në luftë” – rrëfimi i imamit që pretendon se i kishte bartur me traktor dy liderët e UÇK-së

Imami Asllan Bajraktari nga Jashanica e Klinës, i cili gjatë luftës ka bartur ushtarë të UÇK-së me traktor nga zonat e luftës për në Shqipëri, pretendon se Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin i kishte bartur me traktor nga Drenica në vitin 1999.

Hoxha nga Jashanica, në një intervistë për Frontal të Televizionit 7, ka deklaruar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë qenë burracakë dhe janë frikësuar të qëndronin në Kosovë gjatë luftës.

“Kur jam shku për të tretën herë [në kufi me Shqipërinë], i kam pasur 13 veta në prekolicë. Në mesin e tyre kanë qenë edhe Luli e Gjarpri, që në atë kohë nuk ia kam ditur emrat”, rrëfen ai.

“Unë i kam thënë këtyre: ‘Shkoni tash prej shpije’. Më kanë thënë: ‘Jo jo, nuk guxojmë me shku’. Pastaj më është dashtë me i kthy në Drenicë këtë Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin. I kam thënë Rexhep Selimit: ‘Veç ma gjenë traktorin mu, e njerëzit që i marrë pas vete unë, duhet me më dëgju mu. Jo me më dërgu ata mu kah të dojnë, por me flejt në mal e me më dëgju mu; me dalë në Shqipëri e me i marrë armët”, thotë Bajraktari.

Ai aplikoi për një grant bujqësor, por kur iu refuzua për 5 herë rresht, Bajraktari u nis drejt shtëpisë së presidentit, në Burojë të Skënderajt.

Para se të hynte në oborrin e familjes Thaçi, Bajraktari kishte bërë një video që të ruante si dëshmi.

Pasi Buroja nuk kreu punë, Bajraktari iu drejtua zyrës së presidentit në Prishtinë, e kur as këtu s’arriti ta takojë Thaçin, ia mësyu banesës së tij në Bregun e Diellit.

Për të gjitha këto tentime që ta takojë ish shokun e luftës, i kushtuan Bajraktarit me arrestim.

Policia e arrestoi, kurse me 18 shtator ai u dënua nga Gjykata me gjashtë muaj burgim