Thaçi: Jam i përkushtuar për sundim të ligjit

Thaçi: Jam i përkushtuar për sundim të ligjit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur shqetësimin e tij që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit problemi kryesor që përmendet është dhuna e ushtruar në Kuvend.

“Është për keqardhje që problemi i parë që përmendet është dhuna në Kuvendin e Kosovës dhe pengimi i debatit të lirë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

“Pastaj përmendet mungesa e dënimit për të korruptuarit, por edhe dhuna dhe diskriminimi i individëve dhe komuniteteve për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, etnike e fetare apo përcaktimit të tyre seksual”, shkruan me tej ai.

Megjithatë, presidenti thotë se raporti është i mirëseardhur, i cili trajton mangësitë në menaxhimin e shumë çështjeve.

“Është shumë i mirëseardhur raporti i State Departamentit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2016. Në mënyrë gjithëpërfshirëse, raporti trajton shoqërinë kosovare dhe vëren të arriturat, por edhe sfidat në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo sektor të shtetit dhe shoqërisë sonë”, shkruan Thaçi.

Ai nuk harron ta përmend përkushtimin e tij për sundimin e ligjit në vend.

“Si president jam përkushtuar për konsolidimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit, që të mbyllim çdo mundësi që dikush t’i shmanget ligjit. Kam promovuar dialogun në mes të gjitha komuniteteve dhe kam punuar në favor të të drejtave të gjitha komuniteteve. Por, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk është detyrë vetëm e institucioneve shtetërore. Është obligim i tërë shoqërisë që të punojë dhe të eliminojë dhunën dhe diskriminimin nga jeta jonë, duke pranuar njëri-tjetrin pa marrë parasysh bindjet politike, përkatësinë etnike, fetare apo gjinore dhe orientimin seksual”, vazhdon ai.

Ai ka thënë se “Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdokush duhet ta gëzojë të drejtën të jetojë në dinjitet dhe të kërkojë lumturinë ashtu siç e kupton, pa cenuar të tjerët, shtetin dhe shoqërinë”./Insajderi.com