Thaçi dhe Erdogan me lobues të njëjtë në Shtetet e Bashkuara

12.01.2018 21:36
Thaçi dhe Erdogan me lobues të njëjtë në Shtetet e Bashkuara

Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka angazhuar kompaninë amerikane “Ballard Partners” për t’i ofruar atij shërbime të konsulencës. Por, kompaninë me drejtor Brian Ballard e ka kontraktuar para disa muajsh edhe Presidenca e Turqisë, që drejtohet nga Rexhep Tajip Erdogan.

Presidenca kishte shpallur fitues me 22 dhjetor kompaninë “Ballard Partners”, të udhëhequr nga Brian Ballard, një lobues i afërt me presidentin amerikan Donald Trump, raportoi sot Gazeta Online Insajderi.

Sipas njoftimit të Presidencës, kontrata mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard peshon  517 mijë e 198 euro.

Kompania obligohet që të ofrojë shërbime të konsulencës për Zyrën e Presidentit të Kosovës. Njoftimi për Dhënie të Kontratës tregon se kontrata mes palëve parashihet të nënshkruhet më 15 janar. Po ashtu, ky dokument tregon se kjo kompani është shpallur fituese e tenderit më 22 dhjetor të vitit 2017.

Dokumenti tregon që nuk ka pasur tender të hapur për angazhimin e lobistëve. Kompania e Ballard ka qenë i vetmi konkurrent, nëpërmjet procedurës së negociuar/të mbyllur.

Kompania “Ballard Partners” ka bazën në Florina dhe presidenti i saj është një prej njerëzve më të afërt të presidentit Donald Trump.

Brian Ballard është një prej mbledhëseve kryesor të fondeve për fushatën presidenciale të Trump. Pas fitores së Trump, kompania ka hapur zyre edhe në Washington dhe ka shënuar suksese në nënshkrimin e kontratave të lobimit me subjekte që dëshirojnë të afrohen me administratën e Trump.

I njëjti lobues që është zgjedhur nga Thaçi, ishte angazhuar edhe nga Presidenti turk Receep Tayyip Erdogan, për të lobuar në ekstradimin e Fetullah Gulenit në Turqi. Kjo kishte ndodhur pak kohë para se Erdogan ta vizitonte SHBA-në në maj të vitit të kaluar. /Insajderi.com