Thaçi dekoron Rita Orën me Medalje Presidenciale

Thaçi dekoron Rita Orën me Medalje Presidenciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nderuar këngëtaren shqiptare me famë botërore, Rita Orën, me Medaljen Presidenciale Jubilare për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka shkruar se Rita ka qenë imazh i Kosovës dhe ajo e ka zhvilluar karrierën së bashku me emrin dhe flamurin e Kosovës.

“Në këto dhjetë vjet pavarësi, Rita Ora ka qenë imazh i Kosovës kudo në botë. Ajo karrierën e zhvilloi bashkë me emrin dhe flamurin e Kosovës. Performimi i saj para mbi 300 mijë qytetarëve mbrëmë ishte një rikthim i gëzimit dhe emocioneve të 17 shkurtit 2008”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi ka treguar se gjatë natës së mbrëmshme ka dekoruar Ritën me Medalje Presidenciale Jubilare për kontributin e saj në promovimin e Kosovës.

“Për kontributin e saj të pazëvendësueshëm në promovimin e Kosovës nëpër botë, unë mbrëmë e kam dekoruar Rita Orën me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë. Faleminderit Ritë. Jemi krenar me ty”, ka përfunduar Thaçi.

Rita Ora gjatë natës së mbrëmshme ka mbajtur një koncert në Prishtinë për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë me ç’rast ka kënduar tri këngë dhe vallëzuar me këngën e “Shotës”, mirëpo që Radio Televizioni i Kosovës dështoi që ta transmetoi atë direkt. /Insajderi.com