Thaçi: Me Brian Yee u dakorduam për veprime konkrete për ushtrinë

Thaçi: Me Brian Yee u dakorduam për veprime konkrete për ushtrinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se gjatë bisedës që ka pasur me Zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, janë dakorduar për veprimet konkrete lidhur me disa prioritete të shtetit të Kosovës, përfshirë këtu edhe themelimin e ushtrisë.

“Ne u pajtuam për veprimet konkrete drejt realizimit të prioriteteve kryesore për Kosovën, që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, fillimin e punës për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë Thaci.

Presidenti Thaçi ka shtuar se SHBA-ja është dhe gjithmonë do të mbetet partneri kryesor strategjik në rrugën tonë euroatlantike.

Por, gjatë një takimi që ka pasur me Ministrin e FSK-së, Haki Demollin, zyrtari amerikan ka thënë se shteti i tij është i shqetësuar me nismën e formimit të ushtrisë pa bërë ndryshimet kushtetuese./Insajderi.com