Thaçi: Bllokimi i rrugëve të Kosovës është bllokim i rrugës drejt botës

Thaçi: Bllokimi i rrugëve të Kosovës është bllokim i rrugës drejt botës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për ndaj bllokimit të rrugëve në Prishtinë, Gjilan, Shtërpcë, Mitrovicë dhe Rahovec, duke thënë se bllokimi i rrugëve është bllokim i rrugëve të Kosovës në botë.

Sot në këto qytete shumë qytetarë kanë bllokuar rrugët si shenjë proteste ndaj ardhjes së një delegacioni serb në Kosovë, të cilët kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në një tubim elektoral në Leposaviq për zgjedhjet presidenciale në Serbi.

“Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sepse liria e lëvizjes, liria e tubimit, liria e mendimit politik dhe liria e shprehjes janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Këto vlejnë për çdo qytetar të Kosovës dhe askush nuk do të lejohet që t’i cenojë këto të drejta, pa marrë parasysh dallimet në bindje e qëndrime”, ka thënë Thaçi, i cili ka shkruar se nga bllokimi i rrugëve përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.

“Nga logjika e bllokimit të rrugëve, sikurse ndodhi sot në disa qytete të Kosovës, më së shumti përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën shtetit tonë. Institucionet shtetërore duhet ta garantojnë mbrojtjen e këtyre lirive për secilin qytetar”, ka shkruar Thaçi në Facebook./Insajderi.com