Thaçi bënë homazhe te varri i Rugovës: Udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore

Thaçi bënë homazhe te varri i Rugovës: Udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë sot homazhe pranë varrit të presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, për 12 vjetorin e vdekjes së tij.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka shkruar se pas një pune të shquar në fushën e albanologjisë,  presidenti Rugova u angazhua politikisht në kohën kur pushteti i Millosheviqit e zhveshi Kosovën nga të gjitha të drejtat politike, administrative dhe kombëtare.

“Brenda një periudhe dhjetëvjeçare udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore, duke shprehur vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, me orientim nga vlerat perëndimore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndër tjerash presidenti Thaçi është shprehur se “pas çlirimit të Kosovës, presidenti Rugova ishte pjesë e të gjitha ngjarjeve dhe vendimeve të konsolidimit të shtetit të Kosovës, deri në momentin e vdekjes”.

“Do ta kujtojmë dhe nderojmë gjithnjë si president të parë të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në fund. /Insajderi.com