Thaçi: Bajram Rexhepi u shqua për guxim, profesionalizëm dhe humanizëm

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në mbledhjen komemorative, në nderim të ish kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepit, që vdiq dje pas një sëmundjeje të rëndë.

Thaçi: Bajram Rexhepi u shqua për guxim, profesionalizëm dhe humanizëm

Presidenti Thaçi ka thënë se në karrierën politike tredekadëshe, Bajram Rexhepi ishte ndër  personalitetet emblematike me virtyte të rralla në rrugën e realizimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, Rexhepi u shqua për guxim, profesionalizëm dhe humanizëm qysh në vitet 1996, 1997 e më tej duke shëruar luftëtarët e lirisë.

“Dr. Bajram Rexhepi ishte mjeku i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitet 1998-1999, ai gjendej kudo ku kishte beteja: sa në Shalë, sa në Llap, sa në Drenicë dhe Mitrovicë, përherë pranë ushtarëve të plagosur”, ka thënë presidenti.

Ai ka theksuar se që në ditët e para të çlirimit, Bajram Rexhepi mori përgjegjësi politike, duke u bërë qytetari i parë i Mitrovicës dhe duke u angazhuar për kthimin dhe sistemimin e banorëve të dëbuar nga lufta.

“Pas zgjedhjeve të para të përgjithshme elektorale të 2001 –shit,  dr. Bajram Rexhepi  zgjidhet kryeministër i Qeverisë së Kosovës, si pjesë e Qeverisë me bazë të gjerë politike, duke përfunduar mandatin e plotë me sukses”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se me angazhime të larta shtetërore, Rexhepi ishte aty ku e kërkonte vendi – në Mitrovicë, në Bruksel, por edhe në Uashington dhe Nju Jork.

Presidenti Thaçi, para familjarëve, kolegëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile ka thënë se Bajram Rexhepi kishte profil të lartë politikani, me mbështetje te qytetarët dhe përkrahje edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë, Rexhepi kreu me nder përgjegjësitë shtetërore, qoftë si kryetar komune, qoftë si ministër i Punëve të Brendshme.

Presidenti ka thënë se Bajram Rexhepi shquhej si familjar i dashur dhe i kujdesshëm, qytetar parimor, njeri i matur, veprimtar i urtë, politikan i moderuar dhe mjaft transparent.

“Atë që e mendonte, e thoshte. Ishte personalitet me integritet të lartë dhe i respektueshëm në nivel nacional”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi, në fund, ka theksuar se me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit një burrështetas të shquar.

Ai ka thënë se bashkëmendimtarët, kolegët dhe miqtë e tij do ta ruajnë përjetë kujtimin për të.

“Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij do të na udhëheqin në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë.  Lavdi jetës, veprës dhe emrit të dr. Bajram Rexhepit”, ka thënë presidenti.

Një ditë më parë, presidenti Thaçi mori vendim për shpalljen e ditës së sotme, 22 gushtin, ditë zie në Kosovë, në shenjë nderimi për ish kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin.