Teuta Rugova dhe mbesa e presidentit në ekipin e Kosovës që do të lobojnë për viza

Teuta Rugova dhe mbesa e presidentit në ekipin e Kosovës që do të lobojnë për viza

Teuta Rugova deputetja e LDK-së dhe Evgjeni Thaçi, mbesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi do ta përbëjnë ekipin e shtetit të Kosovës për të lobuar për liberalizimin e vizave të Kosovës, raporton Insajderi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të Grupeve Parlamentare nga pozita dhe opozita, do të udhëtojë të enjten për vizitë zyrtare në Austri. Gjatë qëndrimit në Vjenë, Kryeparlamentari Kadri Veseli do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Në këtë vizitë zyrtare në Austri, Veseli do të jetë i shoqëruar nga një përfaqësues i secilit Grup Parlamentar. Nga VV do të jetë Glauk Konjufca, nga PSD Aida Dërguti, nga AAK-ja Time Kadriu, nga Lista Serbe Adem Hodza dhe Fikrim Damka nga KDTP.

Ndërkaq në këtë vizitë, Veseli do të shoqërohet edhe nga Evgjeni Thaçi- Dragusha, mbesa e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit si dhe Teuta Rugova e cila do të udhëtojë në emër të LDK-së

Në takim me homologun austriak, Kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave.

Gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë takime edhe me Kryetaren e Grupit Parlamentar të miqësisë Austri-Kosovë, Carmen Jeitler-Cincelli, ndërsa do të pritet në një takim edhe nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Austrisë si dhe takime tjera me zyrtarë të shtetit austriak.

Gjatë vizitës zyrtare në Austri, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe deputetët kosovarë do të marrin pjesë edhe në Forumin Ekonomik Austri-Kosovë të cilin e ka organizuar Oda Ekonomike Austriake në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë.

Në këtë Forum Ekonomik ku do të marrin pjesë qindra biznese austriake dhe ndërkombëtare, do të jenë prezentë edhe biznese nga Kosova, ndërsa Kryeparlamentari Veseli pritet të ketë një adresim ku do të flas për potencialet që ofron Kosova dhe do të ftoj bizneset austriake dhe ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë.