Tetë të arrestuar për kontrabandë me ari e argjend

Tetë të arrestuar për kontrabandë me ari e argjend

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka arrestuar tetë persona si të dyshuar për kontrabandë të arit dhe argjendit nga shtetet e tjera për në Kosovë.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, aksioni që u zhvillua dje në disa lokacione ka ardhur si pasoje e hetimeve intensive të kryera për disa muaj “lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, mirë të organizuar,  që në vazhdimësi kryente veprat penale të krimit të organizuar.”

Aksioni i Policisë –  që është mbështetur edhe nga Ministria e Tregtisë, Dogana e Kosovës si dhe Administrata Tatimore e Kosovës – është zhvilluar në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Prizren e Gjilan.

Personat e arrestuar janë: V.I, lindur më 1988; G.I (1963); B.I (1986); Sh.B (1987); I.B (1962); T.L (1991); H.I (1966); dhe A.I (1997).

Po ashtu, janë sekuestruar 26 kilogramë ari, 33 kilogramë argjend, tre vetura, një autobus dhe rreth pesë mijë euro./Insajderi.com