Tetë pikat e Çelajt për një jetë cilësore në Prishtinë

Tetë pikat e Çelajt për një jetë cilësore në Prishtinë

Në prezantimin e tij, kandidati i PDK-së për Kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, ka theksuar disa nga prioritetet e menjëhershme, si Rregullimi i Trafikut dhe parkingut, 1 euro legalizimi, ngrohje për tërë qytetin, 3.000 vende pune në fushën e Teknologjisë informative dhe Gollaku Bio-Zonë.

Në prani të kandidatëve për Asamblenë Komunale të Prishtinës, anëtarëve dhe mysafirëve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës ka prezantuar tërë Platformën zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit, njofton kumtesa partiake.

Çelaj në pika të shkurtra ka prezantuar 8 pikat qenësore të platformës së tij, të ndara në kapituj pa lidhshmëri me drejtoritë ekzistuese në komunë.

Pika e parë e programit të tij ishte Prishtina Shpejt, që përfshin Trafik funksional, parkingje nëntokësore, si dhe parashihet një taksë për të hyrë në qendër të qytetit. Kjo taksë, sipas Çelajt, parashihet të vihet me qëllim të pengimit të hyrjes së makinave në qendër të qytetit dhe shkaktimin e kaosit në trafik.

Prishtina Sigurt është kapitull që i dedikohet sigurisë në kryeqytet, theksoi kandidati për kreun e Prishtinës, Lirak Çelaj, i cili premtoi se do t’i vendosë kamerat e sigurisë, do t’i bëjë me ndriçim hyrjet e banesave dhe rrugëve, si dhe do të ketë patrulla mobile të punëtorëve socialë.

Prishtina Ngrohtë, sipas tij, është kapitull i veçantë që parasheh përdorimin e energjisë eficiente, si dhe implementimin e projektit për ngrohje me njehsor, duke mos u bërë pagesa për sipërfaqet që nuk ngrohen, me çka parashihet të bëhet ulje e faturës së energjisë deri 40%. Me këtë projekt, sipas Celajt, parashihet të bëhet zgjerimi i ngrohjes së qytetit dhe hapjen e ngrohtoreve për lagjet e caktuara, ku po ashtu parashihet kostoja e ngrohjes të pëson ulje deri 40%, duke ruajtur ambientin dhe duke penguar ndotjen nga ngrohja me qymyr apo me dru.

Prishtina 24 orë, sipas Celajt, parasheh të ndërtohen parqe për fëmijë dhe për çdo lagje nga një fushë rekreative- sportive, si dhe një kapitull i veçantë do të jetë që të fuqizohet industria e clubbing-ut, dhe tradita e kalimit të kohës së lirë në hapësira të planifikuara për këtë.

 

Çelaj theksoi se përpos pishinës në Gërmi, do ta aktivizojë edhe patinazhin, zonën e Gollakut për moto cross e fusha tjera për sportet që aktualisht i mungojnë kryeqytetit.

Prishtina Destinacion, ai tha se është kapitull që i kushtohet ruajtjes dhe konservimit të qytetit të vjetër të Prishtinës, teatrit të qytetit dhe Prishtina të bëhet qytet i festivaleve. Për këtë, ai tha se kemi kushte dhe mundësi, kurse me veprime në terren do ta bëjmë Prishtinën si destinacion, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.

Prishtina që Parandalon, Celaj tha se është pikë e rëndësishme e platformës zgjedhore, e cila në fokus ka parandalimin e dukurive negative, për rininë, për familjet si dhe kujdesin për pleqtë. Për këtë qëllim, ai theksoi se do të ndërtojë tri këshillimore, për të parandaluar dukuritë negative apo mosmarrëveshjet në familje dhe duke u kujdesur për moshën e tretë.

Prishtina e Dijes, është pikë e programit qeverisës në mandatin e ardhshëm, sipas Celajt, duke u fokusuar në ndërtimin e tri shkollave dhe tri çerdheve në lagjet që kanë më së shumti nevojë, duke ia ofruar mundësinë e qasjes së lehtë për nxënësit, si dhe lehtësim për familjet që nuk mund të gjejnë mjaftë vende të lira në çerdhe që menaxhohen nga komuna.

Prishtina Digjitale, ai tha se është pikë e fortë e platformës qeverisëse, me çka parasheh ndërtimin e një Qendre Ndërkombëtare të Teknologjisë Informative, inkubator për biznese të Teknologjisë Informative, si dhe Industrisë kreative në këtë fushë.

Çelaj e falënderoi ekipin e bashkëpunëtorëve dhe shfaqi gatishmërinë që ditëve në vijim, për secilën pikë dhe çështje, më në detaje do të jepen shpjegime sesi do të realizohen këto në mandatin e ardhshëm, gjatë qeverisjes së tij në Prishtinë.

Ai ftoi qytetarët të japin kontribut për ndryshim, të jenë gati për ndryshimin që duan, sepse platforma zgjedhore është hartuar në pajtim me nevojat e tyre.

Ndryshimi po vjen dhe ai ndryshim në Prishtinë, sipas Çelajt, po vjen nga Forca e Ndryshimit, nga Partia Demokratike e Kosovës.