Testament i paautorizuar i Bekim Lumit për Republikën e Gangsterëve

31.07.2018 10:00

Disa tentime për ta shpjeguar Bekim Lumin, dhe një testament i pautorizuar nga “shfaqja e tij e ëndërrave” siç e quante ai, një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui”, që u dha premierë para një muaji...

Testament i paautorizuar i Bekim Lumit për Republikën e Gangsterëve

Fatkeqësisht, ky vend nuk është i atillë, që mund të shkruash për Bekim Lumin, duke ia përmendur vetëm emrin e mbiemrin, dhe të kuptohet menjëherë se për kënd bëhet fjalë. Duke tentuar ta formulosh një shpjegim për të treguar se kush është Bekim Lumi, e kupton sesa e pamundur është që kësaj shoqërie t’ia përshkruash atë.

Ta shpjegosh Bekim Lumin përmes shfaqjeve të tija të jashtëzakonshme, është një gjë e pamundur në këtë vend. Dhe kjo është fatkeqësi e madhe, sepse Bekim Lumi ka bërë shfaqje të cilat janë një testament. Por një testament poetik, sado maestral qoftë ai, nuk dëgjohet në një shoqëri që komunikon duke bërë zhurmë të paartikulueshme, sikurse shoqëria që ka jetuar Bekim Lumi. Kjo e jona.

Por, as nuk mund të shkruash më shumë për shfaqjet e tija, nëse nuk e njeh mirë teatrin. Sidomos atë të Lumit. Për këtë janë kritikët e teatrit, të cilët sot fatkeqësisht nuk egzistojnë si komunitet. Ata do të duhej të ishin trumbetuesit e kësaj fuqie, duke qenë të pranishëm në zhurmën mediale që përpëlitet të marrë formën e një debati publik.

Ta shpjegosh Bekim Lumin, si njeri që duke mos u pajtuar me mungesën e kritikës së teatrit, ka krijuar një revistë që i dedikohej komplet kritikës së teatrit; Revista “Loja”, është gjithashtu e pamundur.

Në këtë shoqëri që teatrin e sheh vetëm si objekt e kritikën si titull lajmi, Lumi bëri edhe pjesën për të cilën do të duhej të kujdesej kritika, duke përkthyer me orë të tëra kritikët më të njohur për të përmbushur revistën që kishte deri 300 faqe. Një përkushtim të tillë, një shoqëri që ndikohet dhe reagon duke lexuar vetëm titullin e një lajmi, është e kotë t’ia shpjegosh Bekimin.

Nuk mund t’ia shpjegosh as përkushtimin e Bekim Lumit si profesor në Fakultetin e Arteve. Një shoqëri që ka lejuar shndërrimin e Universitetit në një vend ku diplomon injoranca, e hipokriza blihet me para, nuk mund ta bindësh se Lumi ka qenë profesor model , që është siguruar që studentët e tij kur të diplomojnë si aktorë e regjisorë të jenë të gatshëm për cilëndo rol apo tekst të cilido autori. Fatkeqësisht ata tashmë mund të konsiderohen si gjenerata e fundit që ka pasur fatin të jenë prodhim i mendësisë e punës së Bekim Lumit.

Pikërisht mendësia, është forma më e jashtëzakonshme për ta shpjeguar madhështinë e Bekim Lumit. Ai kur nuk u pajtua me hapësirat si i quante ai “konvencionale e provinciale” sikurse Teatrot e financuar nga shteti e të drejtuar nga njerëz tradicionalisht të pushtetit, Bekim Lumi krijoi teatrin e tij: Teatri Laborator “Loja”. Ai nuk u bë peng i hapësirave të rezervuara si teatër, por krijoi një teatër pa objekt rezident por duke na dërguar herë në Muzeun Etnologjik (William Shakespeare, “Këmisha e gjakut” – bazuar në tragjeditë “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të W. Shakespeare-it, si dhe në disa tekste të Kanunit të Lekë Dukagjinit),) e herë në Shtypshkronjën Rilindja (Shfaqja “Dilerat”), për të na kujtuar se çka është teatri.

Duke tentuar vazhdimisht që të na tregojë këtë gjë, Bekim Lumi vdiq nga kanceri, një sëmundje që po merr shpesh, jetët e shumë kosovarëve. Të dhënat për shkaktarët e kancerit fajësojnë jetesën e pashëndetshme dhe stresin emocional apo mendor. Jetesa e Lumit dhe e të gjithë kosovarëve ka si sinonim pikërisht këto dy arsye.

Shfaqja e tij e fundit është dhënë para një muaji. Dhe ky fakt përbën një detaj interesant. Bekim Lumi arriti të realizonte “shfaqjen e ëndërrave” siç e quante ai, një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui”.

Me 20 qershor, Lumi shkruante se  “përkundër gjendjes së vështirë shëndetësore, jam në gjendje të vazhdoj të punoj e luftoj dhe ta bëj këtë shfaqje. Unë i besoj teatrit!”.

Kjo shfaqje ka për kryepersonazh një bandit që përmes nënshtrimit të kokave të ekonomisë dhe shtypjes qytetare e bënë një qyte, kompani kriminale. Një qytet a shtet i tillë nuk kujdesët për një mirëqënie publike që do t’i garantonte të gjithëvë se paku një jetesë të shëndetshme ose qasje për të gjithë që të parandalojnë sëmundje sikurse kanceri. Në këto shtete nuk ka gjilpëra as fasha higjenike.

Vet Bekim Lumi, e shpjegon se nga çka përbëhet një shtet i tillë sikurse në “Arturo Ui”, në një intervistë për Kultplus në shtator të vitit 2017.

Sa ndodhitë po aq edhe personazhet e kësaj drame, përmes leximit, përjetimit dhe trajtimit regjisorial, mund të kontekstualizohen me shumë nga rrethanat dhe episodet tragjikomike politike e historike në Kosovën e pasluftës e këndej. Për fat të keq, kipcin e gangsterit dhe të kriminelit Arturo Ui e të vetave tjera të kësaj drame i gjejmë ende në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Të tillët i kemi me shumicë sidomos në politikë. Në politikë dhe në krim. Ata janë aty së bashku. Ndoshta një arsye më shumë për vënien në skenë të këtij teksti është edhe kjo. Natyrisht, edhe fakti që “Arturo Ui” nuk është inskenuar deri tani asnjëherë në asnjërin nga teatrot tona në Kosovë. Si i tillë, jetësimi i kësaj shfaqjeje ka më shumë se veç domethënie artistike për mua dhe për Teatrin Kombëtar të Kosovës”.

Fatkeqësisht, ndoshta kjo është mënyra më e thjeshtë për ta shpjeguar Bekim Lumin: ai ka dhënë për një vend që atij i ka dhënë kancerin. Testamenti i tij, në mënyrën e tij, si regjisor, në teatër, përmes shfaqjes, tregon se kush “po na e bon kancerin”.

Ky testament, njashtu sikurse të testamentët e vërtetë, duhet analizuar nga të gjithë ata që janë të përfshirë në të. Nuk mund të jetë më i gjatë as të ketë më shumë shpjegime, sepse pasuria që ka lënë prapa Bekim Lumi është më e madhe sesa pasuria e gangsterëve që drejtojnë Republikën.

Mësimi që na jep Lumi me jetën dhe testamentin e tij është se një shoqëri e cila aftësohet ta lexojë fuqinë e artit mund ta zhvleftësojë fuqinë e gangsterëve. Përparësia është se gangsterët nuk dijnë të lexojnë, andaj na takon neve ta përdorim si avantazh. Në kujtim të Bekim Lumit./Insajderi.com