Policia e Londrës po punon për identifikimin e tre xhihadistëve, të cilët shkaktuan terror në Londër.
Të tre xhihadistët mbetën të vrarë nga policia, ndërsa njëri prej tyre mbante të veshur një bluzë të Arsenalit.
Bluza e Arsenalit, siç raporton Evening Standard, është fanella me ngjyrë të kaltërt dhe të zezë që skuadra londineze e kishte përdorur si fanellë të dytë për edicionin 2011/12.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në Londër, ku mbetën të vrarë shtatë persona dhe dhjetra të tjerë u plagosën, shkruan Top-channel.
Xhihadistët u futën në një rrugë këmbësorësh, në “London Bridge”, me një furgon të bardhë dhe sulmuan këmbësorët, duke ecur me një shpejtësi rreth 80 km/orë dhe lëvizje në formë “S”. Më pas, tre xhihadistët dolën në rrugë dhe filluan të godisnin njerëzit me thikë, pranë tregut “Borough”.