Tërmkolli e quan fushatë projektligjin për kompleksin Adem Jashari

Tërmkolli e quan fushatë projektligjin për kompleksin Adem Jashari

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Për këtë Projektligj 56 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe 5 kanë abstenuar.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, duke paraqitur këtë Projektligj tha se në Kuvend po bëhet cirk duke vonuar me sjelljen e këtij Projektligji

“Prapë do t’i forcojë konkluzionet e lodhjes që po ia adresoj këtij Kuvendi edhe koordinimeve sepse kjo është dashur të vijë nga sekretaria e partisë edhe e Komisionit, se kush flet për këto komisione e jo të bëhet ky far cirku edhe të vonohet ky ligj i cili është dashur të kalojë shumë vite më parë”, tha Muja.

Por, në lidhje me këtë projektligj ka reaguar deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila tha se ata që e dinë mirë historinë e Kosovës dhe ata që e kanë projektuar pavarësinë e Kosovës, do duhej të kishin përpara dy projektligje, për memorialin “Ibrahim Rugova” dhe memorialin “Adem Jashari”.

“Unë nuk e di kush i ka bërë krejt këto ligje por ata që vërtetë e dojnë Kosovën, ata që vërtetë e dinë historinë mirë të Kosovës ata që dinë kontributin e të gjithëve që kanë dhënë për Kosovën, ata që kanë vu bazamentin e shtetit të pavarur të Kosovës, do duhej të kishim sot ligjin për dy memoriale, për memorialin për presidentin Ibrahim Rugova dhe memorialin për Adem Jasharin”, ka thënë ajo.

Për më tepër, sipas saj, me këtë projektligj është duke u bërë fushatë.

“Edhe unë mund ta votoj vetëm në këtë mënyrë dhe e thërras LDK-në ta bëjë këtë, dhe gjitha partitë jo vetëm LDK-ja. Nëse vërtetë e dojmë këtë vend pa hile, nëse po dojmë të bëjmë fushatë, që dikush po bënë fushatë, mua me vjen keq po nuk është mirë me ba fushatë me personalitete të denja të popullit dhe shtetit të Kosovës”, tha Tërmkolli, njofton RTK.

Ndaj Tërmkollit ka reaguar Muja, sipas të cilit askush nuk mund të tërheq këso paralele pasi që sipas tij rasti i Jasharajve është unik në botë.

“Unë më se paku kam pritur që dikush do të thotë këtu që ky ligj po bëhet për ndonjë fushatë ose për diçka, por nëse tërhiqet një paralele me kompleksin Adem Jashari, që është unik në botë, janë udhëheqësit e Republikës së Kosovës ose të historisë së Kosovës, por është unik në botë”, ka thënë ai.