Tërhoqi personin që “vodhi” veturën e shtetit, PDK kandidon në Kamenicë personazhin e përgjimeve

Kujtim Gashi konsiderohej si njëri nga njerëzit e afërt të PDK-së që i jepej dritë e gjelbër për të qenë anëtar i bordit të Ujësjellësit Rajonal "Hidromorava".

Tërhoqi personin që “vodhi” veturën e shtetit, PDK kandidon në Kamenicë personazhin e përgjimeve

Pasi e tërhoqi nga gara për kryetar të Kamenicës Emin Krasniqin, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vensodi që ta zëvendësonte kandidaturën e tij me një kandidat tjetër. Të dielën, partia që udhëhiqet nga Kadri Veseli njoftoi se në vend të Krasniqit, në Kamenicë do të garojë Kujtim Gashi.

Kujtim Gashi punonte si drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal.

Por, Gashi njihet edhe nga skandali i përgjimeve “Dosja e Shefave”, të cilat Gazeta Online Insajderi i publikoi një vit më parë. Gashi ishte njëri nga personazhët e kësaj dosje.

Në bisedën telefonike të zhvilluar mes ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit dhe anëtarit të PDK-së, Zenun Pajaziti, Gashi ishte një nga njerëzit të cilët ishte përmendur si kandidat potencial për anëtar të Bordit të Ujësjellësit në Gjilan, “Hidromorava”.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ia lexonte emrat e kandidatëve Zenun Pajazitit, e në mesin e emrave të përmendur ishte edhe Gashi.

Kujtim Gashi konsiderohej si njëri nga njerëzit e afërt të PDK-së që i jepej dritë e gjelbër për të qenë anëtar i bordit të Ujësjellësit Rajonal “Hidromorava”.

Teksa Grabovci i lexonte me radhë emrat e kandidatëve të mundshëm për anëtar bordi në këtë ndërmarrje, Pajaziti ia konfirmonte Grabovcit nëse kandidatët e përmendur ishin “të tyre”, apo jo.

“Kujtim Gashi”, thotë Grabovci. “Po, ky i joni osht”, konfirmon Pajaziti.

Partia Demokratike e Kosovës kishte ndërruar kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Kamenicës, tre ditë pas publikimit të emrit të Emin Krasniqit si kandidat zyrtar të PDK-së për Komunën e Kamenicës.

Insajderi raportoi për një skandal të Krasniqit që nga koha kur shërbente si zv/ministër i Infrastrukturës. Krasniqi gjatë vitit 2014 kishte vjedhur veturën e shtetit për katër muaj. /Insajderi.com