Terapi mjekësore nga larg, me ndihmën e paisjeve dixhitale

Terapi mjekësore nga larg, me ndihmën e paisjeve dixhitale

Viktimat e goditjeve në tru përballen shpesh me vite të tëra terapie fizike, nëse mund të gjejnë një terapist të kualifikuar. Tani, një shpikës portugez ka krijuar një program kompjuterik që jep terapi të një cilësie të lartë, të monitoruar prej së largu.

Alvaro është viktimë e goditjes në tru dhe po mëson të ecë përsëri. Ai ka qasje ndaj një terapie të cilësisë së lartë, përmes kompjuterit.

“Krijuam një terapi dixhitale që funksionon njësoj sikurse të të japë këshilla një terapist. Ne fillojmë duke analizuar, dixhitalizuar lëvizjet e pacientit që i përdorim si referencë për lëvizjet normale. Më pas e hedhim këto të dhëna në një tabletë ku terapisti dixhital jep këshilla për pacientin”, thotë Virgilio Bento, i kompanisë “Sword System”.

Ajo quhet SWORD, (bashkimi i shkronjave të fjalëve Stroke Wearable Operative Rehabilitation Device), dhe funksionon përmes përdorimit të sensorëve të lëvizjes që pacientët i vendosin në trupat e tyre.

Një program tablete që i drejton pacientët në stërvitjet e rehabilitimit dhe regjistron përparimin e tyre.

“Mes stërvitjeve ka gjithmonë një pushim të vogël që lejon rikuperimin dhe është nxitje kur në fund të çdo ushtrimi del rezultati, sa herë e bëre lëvizjen, sa medalje ke fituar, pra është si një farë loje që nuk e ndjen” , thotë Alvaro.

Krijuesit thonë se programi ndihmon në zgjidhjen e problemit të mungesës së terapistëve të kualifikuar, dhe lejon qasje ndaj terapisë në çdo kohë të ditës.

Shpikësi portugez po punon tani për një version amerikan të programit dhe po përgatitet ta hedhë atë në tregun amerikan.