Tentimi i PDK-së ta paraqesë Dokufest-in si sukses të komunës së Prizrenit

Kur aktori Lirak Çelaj doli në debate televizive duke e proklamuar vetën si kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës, ai u mor me Prizrenin duke ia vënë komunës së udhëhequr nga PDK-ja, meritat për suksesin e festivalit Dokufest. Këtë e bëri më vonë edhe vet Komuna duke e quajtur vetën bashkëorganiztore. Por kështu nuk mendojnë vet organizatorët...

Tentimi i PDK-së ta paraqesë Dokufest-in si sukses të komunës së Prizrenit

Një nga themeluesit e teatrit “Oda” në Prishtinë, aktori Lirak Çelaj, mori kulturën, si temë të parë në diskutimet e tija publike nëpër media sa i përket kandidaturës së mundshme të tij për kryetar të Prishtinës, nga radhët e PDK-së.

Çelaj nisi të kritikoj komunën e Prishtinës që nuk ka bërë asgjë për kulturën dhe zhvillimin e festivaleve artistike, dhe në të njëjtën kohë i vuri merita komunës së Prizrenit, e cila drejtohet që dy mandate nga PDK-ja, për suksesin e festivalit Dokufest.

Çelaj tha në Interaktiv të KTV-së se Komuna e Prizrenit e ka bërë këtë festival të madh ashtu sikurse është tash, në mesin e 15 festivaleve më të njohura në Evropë.

Por bash për këtë vit, Komuna e Prizrenit, ka vendosur që të ulë buxhetin për këtë festival, duke i dhënë vetëm 10 mijë euro buxhet. Krahasuar me vitet e kaluara ku buxheti ka pasur më shumë sesa 15 mijë euro.

Por arsyetimi i Komunës së Prizrenit për këtë ulje nuk kaloj pa e përmendur faktin e marrjes së meritave për festivalin.

Zëdhënësi i kësaj komune tha për Kohën Ditore, të martën, se fakti që Komuna e ndihmon festivalin me logjistikë, e bënë atë bashkorganizatore të festivalit.

Por, i gjithë ky tentim i drejtuesve të PDK-së për ta paraqitur festivalin si sukses të tyre, për drejtuesit e festivalit është absurd.

“Dokufesti ia paguan Komunës çdo vit 500 euro shtesë për mbeturina, me arsyetimin se DOKUFEST-i sjellë shumë njerëz në qytet, e ata prodhojnë shumë mbeturina dhe si rrjedhojë faturën duhet ta paguajmë ne”, thotë Veton Nurkollari, një nga themeluesit e festivalit dhe drejtor artistik i tij, për Insajderin.

Ai tregon se DOKUFEST-i paguan edhe qera Komunës së Prizrenit, rreth 4 mijë euro në vit.

“Komuna, DokuFest-it ia faturon hapësirat publike! Kjo është e pa precedent edhe praktikë që unë nuk kam pa askund! Me atë logjike edhe shitësit ambulantë janë sukses i Komunës!”, thotë Nurkollari.

Nurkollari thotë se DokuFest-i do të ishte i lumtur ta ndante suksesin me një Komunë që e mbështetë dhe e sheh suksesin e DokuFest-it si të tij por “Komuna e Prizrenit fatkeqësisht nuk është e tillë”.

“Përvetësimi i suksesit të dikujt tjetër dhe me fakte diskutabile po behët normë në Kosovë dhe ne nuk çuditemi që ky fenomen po adoptohet edhe nga funksionar të lartë të PDK-së”, ka thënë Nurkollari, për Insajderin.

E sipas, Agron Demit, ish-drejtor i Institutit GAP, që ka bërë analiza mbi të hyrat që DokuFest i sjellë Komunës së Prizrenit, shuma që e kanë nda kjo Komunë është shumë e vogël për një festival të tillë.

Llogaritet se DokuFest i sjellë mbi 4 milionë të hyra Komunës së Prizrenit.

Ai tha se nuk ka dëgjuar deklaratat e Çelajt dhe të Komunës së Prizrenit, por ato i duken pa asnjë lidhje.

“Nuk besoj që DokuFest do të pranonte me qenë bashkorganizator edhe nëse Komuna e Prizrenit do t’i kish mbuluar shpenzimet e DokuFestit-t”, tha Demi.

Dokufest sjellë çdo vit në Prizren me qindra kineastë nga e mbarë bota dhe mbi 10 shikues në disa kinema të shpërndara nëpër qytet. Dyfishi i shikuesve në kinema, është ai i vizitorëve gjatë kohës së mbahet Dokufest-ti teksa kostoja e shpenzimeve të tyre gjatë qëndrimit një ditor llogaritet të jetë nga 4 deri në 11 euro për person. /Insajderi.com