Tentimi i MZhE-së për fshehjen e transparencës në privatizimin e KEDS-it dhe ofertën e TC “Kosova e Re”

Tentimi i MZhE-së për fshehjen e transparencës në privatizimin e KEDS-it dhe ofertën e TC “Kosova e Re”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) nuk u është përgjigjur kërkesave të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ashtu siç e kërkon ligji, duke mos i lejuar qasje në dokumentet e kërkuara.

Organizatat anëtare të KOSID, gjatë periudhës 2011-2013 kanë parashtruar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike në proceset e privatizimit.

Sipas KOSID-it, të gjitha kërkesat janë refuzuar nga MZhE me arsyetimin se ato dokumente janë drafte dhe janë dokumente te klasifikuara për të cilat nuk lejohet qasje.

Pikërisht për këtë shkak, më 3 qershor 2013, Instituti GAP në emër të KOSID-it, ka parashtruar padi kundër MZhE-së për moslejim të qasjes në dokumente publike.

MZhE dhe KEK kishin provuar ta argumentojnë moslejimin e qasjes në dokumente publike, por së fundi Gjykata Themelore e Prishtinës i ka hedhur poshtë të gjitha, duke i dhënë të drejtë paditësit.

“Aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e Institutit për Studime të Avancuara GAP. Detyrohet i padituri Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Prishtinë që brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, t’i lejohet paditësit Instituti për Studime të Avancuara GAP me seli në Prishtinë, të ketë qasje në dokumentet publike që lidhen me procesin e privatizimit të KEDS-së dhe Ofertimit të Projektit “Kosova e Re”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që mban datën 12 dhjetor 2017.

Gjithashtu, në aktgjykim Gjykata ka shqyrtuar edhe çështjen nëse pala e paditur është në kuadër të fushëveprimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, Gjykata gjen se ky Ligj ka përcaktuar se në kuadër të detyrimeve të përcaktuara për të siguruar qasje në dokumente publike, në kuadër të institucioneve publike hyjnë institucionet dhe organet e pushtetit shtetëror si Qeveria dhe administrata në nivelin shtetëror, rajonal dhe lokal, institucionet ligjvënëse dhe gjyqësore, me kusht që kryejnë funksione administrative, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, peronat fizik apo juridik me kusht që të ushtrojnë autoritet administrativ, kryejnë detyrat publike, apo operojnë me fonde publike sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Në këtë rast sikurse MZHE ashtu edhe KEK-u hyjnë në kuadër të institucioneve që bien në fushëveprim të këtij Ligji.

Lidhur me çështjen nëse dokumenti i kërkuar përbën një dokument publik, Gjykata gjen se sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, dokument publik konsiderohet çdo dokument zyrtar “duke përfshirë të gjitha dokumentet e regjistruara në çfarëdo forme, të hartuara apo pranuara dhe të mbajtura nga institucionet publike”.

Pala e paditur vetëm ka ofruar në shikim dokumentin e kërkuar palës paditëse, por Gjykata rikujton se sipas nenit 11 par. 1. të Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike ‘kur të lejohet qasja në dokument, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë nëse do të kontrollojë origjinalin apo kopjen, ose për të pranuar një kopje të dokumentit në çfarëdo forme apo formati në dispozicion sipas zgjedhjes së tij’.

Gjykata gjen se pala e paditur ka refuzuar të ofrojë dokumentin në formën e kërkuar duke pretenduar se disa shtojca të dokumentit të kërkuar janë ende në formë të draftit dhe nuk janë të finalizuara.

Gjykata iu referua edhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, e cila në bazë të nenit 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës zbatohet drejtpërsëdrejti në Kosovë, neni 10 i të njëjtës ku përcaktohet se “1. çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose parë të dhëna/informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë”.

Gjykata ka vlerësuar edhe pretendimet e organit të paditur i cili ka konsideruar se të dhënat e kërkuara janë akoma në formë të draftit dhe nuk janë të finalizuara. Të njëjtin pretendim gjykata e vlerëson si të pabazuar, kjo për faktin se dokumentet e tilla të institucioneve publike duhet të jenë të hapura për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nga ky aspekt ata kanë drejtpërsëdrejti interes të arsyeshëm të informohen lidhur me këtë përmbajtje./Insajderi.com