Tenderët që e ndjekin pas Qemajl Mustafën

16.09.2016 17:21

Herë i dyshuar e herë dëshmitar, por i lidhur fort me tenderët dhe keqpërdorimet e tyre në institucionet e drejtuara nga njerëzit e PDK-së. Kjo është historia e ish –Kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafës, dhe tenderëve që e ndjekin atë, që nga koha kur u bë prijës i qytetit kryesor të Anamoravës, e deri të premtën, kur ai, vetë i 39-ti, u akuzua nga Prokuroria Speciale për kurdisje të tyre

Tenderët që e ndjekin pas Qemajl Mustafën

Që nga 2008, koha kur Gjilani, një nga bastionet e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishte rënë në dorën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Qemajl Mustafën ish-kryetarin e kësaj komune, po e ndjekin pas skandalet me tenderë, raporton Express, transmeton Insajderi.

Mustafa, që njihej edhe si një nga personat problematik edhe brenda vetë PDK-së, është hetuar dhe është përfshirë edhe si dëshmitar në shumë raste ku prokurorët po hetonin keqpërdorime me tenderë nga institucionet e drejtuara nga PDK-ja -që nga Gjilani e deri te Ministria e Transportit – në kohën e ish-nënkryetarit të kësaj partie, Fatmir Limajt, tash drejtues i partisë “Nisma për Kosovën”.

Edhe këtë të premte,  kundër Qemajl Mustafës, Prokuroria Speciale ka deponuar një aktakuzë, edhe kësaj here për keqpërdorime me tenderë.

“…Pronarët e bizneseve i fitonin këto kontrata në bazë të kurdisjeve me ish kryetarin, menaxheren e prokurimit dhe dakordimeve paraprake të pronarëve të këtyre bizneseve, krejt kjo me qellim qe t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm dhe me këtë duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit, buxhetit të Kosovës dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, të cilët nuk ishin pjese e këtyre kurdisjeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria megjithëse nuk specifikon saktë se për cilët tenderë bëhet fjalë, akuzon Qemajl Mustaën bashkë me 38 zyrtarë të tjerë për kurdisje të tenderëve dhe atë për një periudhë prej katër vitesh.

“Gjatë analizimit dhe trajtimit të hollësishëm të këtyre aktiviteteve të prokurimit në periudhën kohore 2008-2011 ka rezultuar se ish kryetari, duke ushtruar fuqinë e tij ekzekutive si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ishte në dijeni për të gjitha këto aktivitete të prokurimit, krejt kjo bazuar në komunikimet e drejtpërdrejta dhe komunikimet përmes telefonit me menaxheren e prokurimit dhe me pronarët apo përfaqësuesit e këtyre bizneseve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, ku bëhet me dije se Mustafa përmes menaxheres së prokurimit, Hatixhe Daku “kishte fuqinë edhe sa i përket vendosjes së caktimit të anëtarëve të komisioneve për vlerësimin e ofertave dhe anëtarëve të komisioneve vlerësuese në aktivitete të ndryshme të prokurimit”.

Bashkë me Mustafën dhe ish-shefen e Prokurimeve në Komunën e Gjilanit, Hatixhe Daku Prokuroria ka akuzuar edhe një varg personash të cilët i ka identifikuar vetëm me iniciale :G, Q.S, I.R, M.N, M.K, H.M, F.H, D.B, A.H, R.M, S.Sh, G.K, Sh.Q, M.C, I.F, B.M, H.I, F.O, H.A, S.Xh, Q.L, E.B, A.M, N.S, Z.F, A.M, N.J, B.K, A.P, Rr.H, F.Z, S.I, N.M, M.A, B.G, A.A dhe A.S.

Express ka provuar gjatë të premtes të marrë një koment nga Qemajl Mustafa, por kontakti me të ka qenë i pamundur deri tash.

Fjalët ‘Qemajl Mustafa”, “tenderë” e “keqpërdorime” janë përsëritur edhe disa herë në historinë e tij si pushtetar i PDK’së, partia që ka më së shumti kryetarë komunash, deputetë e ministra të akuzuar, dënuar e nëpër burgje- për korrupsion e krime të tjera.

Kështu, Qemajl Mustafa ishte vënë nën hetime nga Prokuroria Themelore në Gjilan departamenti për krime bashkë edhe me Hatixhe Dakun, Qefsere Sadriun, Vebi Gecin dhe Ramadan Musliun ku Mustafa dyshohej për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.

Aktvendimi i Prokurorisë së Gjilanit i nënshkruar nga prokurori Shaban Spahiu më 24.01.2014 për këtë rast, përfundoi me pushim të hetimeve për këta persona, dhe njoftimi u bë vetëm pakë javë më parë. Prokuroria në Gjilan arsyetoi se pas hetimit konstatuan se nuk ekzistonin elemente të veprës penale të ushtrimit të ndikimit.

Megjithëse hetimi pushoi, nga raportet publike dihet se  Prokuroria e Qarkut në Gjilan (tash Prokuroria Themelore) para më shumë se katër vitesh kishte nisur një rast që i kaloi më vonë Prokurorisë Speciale, në të cilin kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa dyshohej se kishte shpërdorur detyrën dhe autorizimin në tenderin me përfitime shumë milionëshe të zhvilluar nëpërmjet Partneritetit Publiko-Privat (PPP) për ndërtimin e objektit të ri të komunës së Gjilanit.

Tenderi ishte për ndërtimin e objektit afarist-banesor , vlera e të cilit, sipas rekomandimit për draft-marrëveshjen të bërë nga komisioni negociues i komunës, është përafërsisht 1.8 milionë euro.

Ky tender i ishte dhënë vitin e kaluar familjarit të personit që Qemal Mustafa i ka borxh dhe ky fakt konfirmohet në deklaratën e tij të pasurisë.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion (AKK), Qemajl Mustafa pati bërë të ditur se i ka borxh 80 mijë euro Ridvan Asllanit. Vetëm pak kohë pasi që u publikua ky formular, Mustafa nënshkroi kontratë milionëshe me kompaninë “ARI Trading”, pronë e Asllan Asllanit, që është axha i përfituesit të këtij tenderi.

Mustafa atë kohë pati deklaruar se në këtë rast nuk sheh asnjë shkelje e as konflikt të interesit si dhe ka mohuar të ketë pasur ndikim në komision që tenderi në fjalë t’i jepet familjarit të borxhliut të tij.

I kontaktuar nga Express, Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë në Gjilan, tash dhe para katër vitesh, tha se kanë vendosur ta mbyllin rastin e hetuar nga kjo Prokurori kundër Qemjal Mustafës dhe ku kryesisht ai dyshohej për konflikt interesi, pasi që ai nuk kanë gjetur mjaftueshëm prova që ta akuzonin.

“Rasti që ne e kemi mbyllur nuk ka të bëjë me rastin që ka qenë duke e hetuar Prokuroria Speciale e që sot u ngrit aktakuzë”, tha për Express Jetish Maloku.

Në janar të vitit 2011 ndaj Qemajl Mustafës dhe ish-shefes së prokurimit në këtë komunë, Hatixhe Daku, misioni EULEX pati filluar një hetim, fati i të cilit kurrë nuk u zbulua nga Misioni EULEX.

Por, EULEX-i me tenderët dhe Qemajl Mustafën takohen publikisht përsëri.

Kështu, Qemajl Mustafa deri tash është ftuar si dëshmitar në rastin e njohur tashmë si rasti MTPT për korrupsion, ku i akuzuar për këtë vepër penale është deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ai deri tash në këtë proces u ftua vetëm si dëshmitar, dhe atë në së paku një seancë është pyetur nga Prokurori dhe i ishin lexuar disa SMS të shkëmbyer mes Mustafës dhe biznesmenin gjilanas Mehmet Shkodrës të vitit 2009 e ku Shkodra i thoshte ish-kryetarit të Gjilanit se nëse mirëmbajtja verore e rrugëve nuk anulohej, ai do të publikonte çdo gjë.

Mehmet Shkodra dhe letra e tij e deponuar në Agjencinë Kundër Korrupsion të drejtuar në atë kohë nga Hasan Preteni është pikënisja e hetimeve kundër ish-Ministrit të Transporteve, Fatmir Limaj.

“Ju do të dëmtoni veten më shumë se Limaj, mos e ekzagjero, do të bëhet mirë. E vetmja gjë që do të bësh është të prishësh punën tënde në PDK. Edhe unë kam investuar qindra-mijëra në kesh dhe kam humbur. Kalo mirë shok,” kishte shkruar Mustafa në vitin 2009, SMS  që ai as nuk i mohon, por edhe thotë se mund të mos i kujtohen- është bërë shumë kohë e gjatë.

E tenderët për të cilët të premten u akuzua Mustafa nga Prokuroria Speciale përfshijnë një periudhë prej vitit 2008 e deri në vitin 2011.

PDK-ja ishte ekspozuar haptazi që tenderët i përdorte për nevoja të partisë dhe klientelizmit të saj. Kështu edhe një hulumtim i “Preportr” i viti 2012  pati gjetur të dhëna të bazuara mbi dokumente publike që provonin se mbi 100 milionë euro para publike përmes tenderëve ishin shpërndarë te kompanitë që PDK-së ia zgjatën dorën gjatë fushatave zgjedhore.