Tenderët e fituar nga kompania e Shpëtim Selmanajt, që qeveria e emëroi shef të financave në ASHNA

Tenderët e fituar nga kompania e Shpëtim Selmanajt, që qeveria e emëroi shef të financave në ASHNA

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka emëruar në krye të financave në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror, ish -asistentin e tij. Shpëtim Selmanaj.

Ai edhe zyrtarisht ka marrë bekimin e Qeverisë, për një mandat 5 -vjeçar si zëvendësdrejtor për Shërbime Administrative e Financiare në ASHNA.

Kompania e Shpëtim Selmanajt kishte marrur tenderë nga Komuna e Junikut, që udhëhiqet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Selmanaj është njëri nga dy pronarët e kompanisë “Accord Investments-SAH” dhe kishte fituar dy nga tenderët më të mëdhenj për shtrimin e shtratit të lumit “Erenik”,  në kohën sa ka qenë asistent personal i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe sekretar organizativ i forumit rinor të kësaj partie.

Këta tenderë kompania e Selmanajt i kishte fituar në një projekt të qeverisë Thai dhe komunës së Junikut, që udhëhiqet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ky tender kapte vlerën e 317 mijë dhe tjetri peshon mbi 440 mijë euro.

Po ashtu, e njëjta kompani ishte pjesë e konzorciumit fitues së bashku me kompaninë “Fidani L”,  në një tender të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rregullimin e një parku në afërsi të këtij lumi. Kontrata për këtë punë, e lidhur në vitin 2010, kaptë shifrën e  28 mijë e 700 euro.

Selmanaj për shumë kohë ka qenë afër kryeministrit të tanishëm Ramush Haradinaj. Në kohën sa ky i fundit ishte vetëm kryetar i AAK-së, Selmanaj ka qenë asistent personal i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe sekretar organizativ i forumit rinor të kësaj partie.

Vendimi i qeverisë Haradinaj për emërimin e tij në krye të financave në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror, e ka komentuar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai ka thënë se ministria e tij i ka ndjekur të gjitha procedurat për këtë përzgjedhje, andaj është i domosdoshëm votimi i tij.

Po ashtu, Shpëtim Selmanaj ka ushtruar pozitën e zyrtarit të lartë të Protokollit, si dhe këshilltar i Ministrit të Forcës se Sigurisë së Kosovës./Insajderi.com