Televizioni gjerman: Kosova, një nga vendet më të korruptuara në Evropë

Televizioni gjerman Mitteldeutscher Rundfunk (MDR) ka bërë një reportazh për Kosovën. Në këtë reportazh, MDR e paraqet Kosovën si vendim me popullatën më të re në Evropë, por edhe si popullatën më të varfër në kontinent.

Televizioni gjerman: Kosova, një nga vendet më të korruptuara në Evropë

Kafenetë në qendër të Prishtinës janë plot. Nuk ka një karrige të lirë. Koha e bukur e pranverës ka joshur masivisht banorët e kryeqytetit kosovar që të dalin në rrugë. Muzika dëgjohet nga baret: ‘rock’, pop, muzikë popullore. Qyteti transmeton një energji të pabesueshme, shkruan MDR.

“Është e habitshme se sa të rinj janë në mesin e kalimtarëve – por nuk është çudi: Kosova ka popullatën më të re në Evropë. Megjithatë, ka njërën prej popullatave më të varfra: papunësia është rreth 50 për qind, papunësia e të rinjve është në 80 për qind”, shkruan MDR në artikullin për Kosovën.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 17 për qind e popullsisë jeton në varfëri ekstreme (më pak se 94 cent në ditë) dhe 45 për qind në varfëri absolute (më pak se 1.42 euro në ditë), njofton Insajderi.

Tetë vjet kanë kaluar që kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008. Kjo shkaktoi një valë të re të shpresës në mesin e kosovarëve. Por ata ishin të zhgënjyer. Deri më tani, BE-ja as nuk ka miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe jo të gjitha vendet e BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas MDR-së, Kosova është një nga vendet më të prapambetura në Evropë.

“Megjithë fondet miliardë-dollarëshe të BE-së, pranisë së NATO-s dhe misionit më të madh të BE-së (EULEX), Kosova është një nga vendet më të korruptuara dhe të prapambetura në Evropë. Pa marrë parasysh se kush ishte në pushtet në Kosovë, asgjë nuk ka ndryshuar”, shkruan MDR, në versionin online të uebfaqes së saj.

MDR po ashtu ka theksuar faktin se në Kosovë shumica e popullësisë është myslimane, dhe se vendi ka më shumë se 700 xhami. /Insajderi.com