Telenovela e mbretërorëve britanikë

Sot, roli i vetëm i përbërësve të familjes mbretërore është ai i protagonistëve të një telenovele, që shërben për të argëtuar popullin

Telenovela e mbretërorëve britanikë

Martesat e familjes mbretërore i luajnë mendsh mediat britanike. Është një nga traditat e mëdha të jetës publike në vend. Duhej të ishte shkruar në kushtetutën e mbretërisë, nëse do të kishte një të tillë. Dhe kështu po ndodh edhe me martesën e princit Harry, djalit të vogël të Çarlsit dhe Dianës, me aktoren amerikane Meghan Markle. Skepticizmit, madje cinizmit, që në përgjithësi karakterizon mediat, iu shtuan histori përrallore me princesha, fate dashurore dhe thashetheme pa fund për veshjen e nuses dhe suveniret që mund të blini (si biskota, jastëkë, çaj dhe prezervativë “Harry dhe Meghan”).

Fakti që martesat mbretërore të brezave të fundit tentojnë të mos zgjasin shumë, apo që Markle është amerikane dhe e divorcuar, nuk bën dallimin më të vogël. Kjo është një martesë mbretërore dhe prandaj, me pak përjashtime, si ata bolshevikët e The Guardian, përshkruhet në mënyrë të tillë që të sugjerojnë se realiteti është lënë mënjanë, dhe është zëvendësuar nga një përrallë e Hans Kristian Andersenit.

Ndoshta po mendoni se është një çështje nderimi, që një vend ende i nënshtruar nga aristokracia pi me padurim dozën e tij të përditshme të budallallëqeve, me të gjithë atyre zotërinj me cilindër dhe zonja me diademë që të shtunën, më 19 maj shkuan në Kështjellën Uindsor.

Por unë mendoj se e keni gabim. Anëtarët e familjes mbretërore ka kohë që kanë pushuar së qëni njerëz që duhet të respektohen dhe të merren si model, ashtu siç ishin shtatëdhjetë vjet më parë. Ata nuk janë më udhëheqësit moralë dhe shoqërorë të vendit. Sot, roli i tyre i vetëm është ai i protagonistëve të një telenovele, që shërben për të argëtuar popullin, dhe cilindo tjetër që dëfrehet duke ndjekur këto personazhe të çuditshme dhe historitë e tyre edhe më të çuditshme. Dhe mediat, sidomos gazetat (televizionit dhe radio ende mbajnë qëndrimin e vjetër të nderimit), kanë për detyrë transmetimin e çdo episodi, qoftë ky intim apo familjar, ose edhe më mirë akoma, tronditës dhe melodramatik.

Tani mediat e trajtojnë të vërtetën sikur të mos ishin njerëz realë, por personazhe në një film. Mbretëresha Elisabetë është matriarkia, prania e ftohtë, e largët dhe kanosëse mbi çdo gjë, trajtohet me respekt, për shkak të moshës së saj (92 vjeç) dhe aftësisë që ka treguar në 66 vitet e mbretërimit të saj, për të mos thënë kurrë asgjë, që do të ngjallte edhe befasinë më të vogël. Burri i saj edhe më i moshuar, i cili shërben prej një kohe të gjatë në rolin e njeriut të vrazhdë, sinqeriteti i të cilit bie në kontrast të thellë me banalitetin e gruas së tij, tani nuk shihet pothuaj fare, përveçse kur hyn apo del nga një spital.

Nga djali i tyre më i madh Çarlsi, i cili dikur ishte trashëgimtari i ri premtues, sot flitet sikur të jetë pak i çmendur. U bë karikaturë, edhe për fajin e vet: historia filloi vite më parë kur rrëfeu se i pëlqente të fliste me bimët në kopshtin e tij. Në sytë e publikut dhe gazetarëve, çmenduria e supozuar u konfirmua kur tha se Camilla, gruaja e dytë, do të ishte një mbretëreshë më e mirë se Diana. Sa i drejtë është ky imazh i Çarlsit, këtë s’e di askush, përveç miqve më të ngushtë, por vazhdohet të këmbëngulet për këtë temë, siç bëri kohët e fundit një libër që thoshte se bideja e banjës së tij e shoqëron kudo ku shkon, për të mos lejuar që bythët mbretërore të prekin atje ku vendosen bythë më pak mbretërore. Mua më duket një ekzagjerim, por tani pothuajse të gjithë besojnë.

Ndërkohë, Diana, e cila në Mbretërinë e Bashkuar konsiderohet një shenjtore, viktimë e ftohtësisë emocionale të familjes mbretërore, qëndron mbi të gjithë si fantazma e Bankos tek Makbethi i Uilliam Shekspirit. Të tjerë personazhe më të vegjël hyjnë e dalin nga skena, si vëllai i Çarlsit, Endrju, që përshkruhet si një burrë i shkatërruar nga miqësitë e këqia dhe një ish bashkëshorte (Sarah Ferguson), që lë gjithmonë pas një seri faturash për t’u paguar. Uilliami, që duket tip që s’ka mendime ashtu si gjyshja, luan rolin e bashkëshortit të bindur të Kate, e cila në një seri të fundit televizive paraqitet – nuk e di me të drejtë apo jo – si një lloj Lady Macbeth, që nxit bashkëshortin të veprojë.

Pastaj janë dy të sapomartuarit: Harry, ish oficer i ushtrisë dhe shumë i dhënë pas festave, i shndërruar në një mbështetës të shëndetit mendor dhe Meghan, ish aktore dhe blogger-e, që po transformohet në një model të ri të elegancës. Eshtë quajtur një “shkulm ajri të pastër”, edhe pse është pjesërisht me origjinë afroamerikane. Por duke menduar zhvillimet e mundshme të telenovelës mbretërore, gazetarëve nuk u ka shpëtuar mënyra se si i dha fund martesës së parë (e ktheu unazën me postë) dhe fakti që, duke nisur nga prindërit e divorcuar, shumë pak të afërm ishin ftuar në dasmë, ndërkohë që kanë qenë edhe Spice Girls apo Serena Uilliams. Familja nuk duket të jetë prioritet i saj. Episodet e ardhshëm të telenovelës do të na thonë nëse gjërat do të ndryshojnë. / Në shqip nga Bota.al