Telefonata pa efekt e Thaçit me Vuçiqin

Telefonata pa efekt e Thaçit me Vuçiqin

Pesë ditë më parë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pati njoftuar se ai kishte biseduar nëpërmjet telefonit me kryeministrin e Serbisë  Aleksandër Vuçiq, bisedë e cila sipas tij kishte sjellë pajtimin e tyre që bashkërisht të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por sot ai ka dhënë mesazhe të kundërta për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, kjo pasi që ai ka kritikuar shtetin e Serbisë për fushatë  propaganduese në ndjelljen e frikës dhe urrejtjes ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës, raporton Insajderi.

Ai kësaj radhe nuk ka bërë komunikim nëpërmjet telefonit me palën serbe por nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka  ftuar shtetin e Serbisë, që “të heq dorë nga praktikat e tilla të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Akuzat e presidentit Thaçi drejtuar Serbisë, vijnë një ditë pas kur homologu i tij serb Tomislav Nikoliç, ka akuzuar atë për mos mbajtje të fjalës, pasi që sipas tij Thaçi ka mashtruar Aleksandër Vuçiqin duke folur para tij edhe pse ata janë dakorduar për një gjë të tillë.

Brenda tetë ditëve kryeministrat dhe presidentët e të dyja shteteve me ndërmjetësimin  e përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, janë takuar në Bruksel për të biseduar për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por vetëm një ditë pas takimit ndërmjet tyre, presidenti Thaçi në llogarinë e tij në “Facebook” ka shkruar se kërkon ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që “t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon”./Insajderi.com