Të vdesësh gazetar

Ç’të shtynë ky dreq zanati të vazhdosh më të njëjtin ritëm duke u zhytur thellë e më thellë. Duke harruar krejtësisht se vije një ditë sa hap e mbyllë sytë dhe gjendesh përballë vdekjes që të shikon në lule të ballit dhe të thërret për të ikur prej këtu. Për të lënë gjithçka. Për të vdekur. Siç vdiq njëri prej nesh – Ganimet Klaiqi.  

Të vdesësh gazetar

Se ç’t’bën ky dreq zanat gazetari njeri zemërgur. S’të lë fije emocioni për burrin e vrarë për gjakmarrje, fëmijën e vdekur në aksident komunikacioni, gruan e përdhunuar, dëshmitarin e vrarë.

Sa shpesh të ndodh të shohësh me sytë e tu skena të tilla të rrethuara me shirita të verdhë: zonë krimi.

Të vrojtosh të tjerët duke qarë. Duke u mërzitur për humbjen e tyre. Për dhimbjen e përjetuar. Për gjakun e derdhur. Për vuajtjet shpirtërore.

E ti, ndodhesh aty krejtësisht “indiferent” për atë që ndodh rreth teje sepse je gazetar. Sepse kështu e do profesioni – të distancuar e të shkarkuar nga dhembja për tjetrin.

Kësisoj, mbyllë një ditë të vështirë, për të nisur tjetrën. Për të parë sërish “zona krimi”. Për të zbuluar ngjarje që të tjerët nuk i shohin. Për të hyrë atje ku nuk hynë të tjerët – në mes të dhunës, dhimbjes, krimit, jetës dhe vdekjes.

Po kaq zemërgur sa ishe dje nis një ditë tjetër. Po kaq i ftohtë sa do të jesh sërish nesër. Pas një jave. Pas një muaji. Pas një dekade. Krejtësisht i pavetëdijshëm së sa lehtë një koleg yti mund të shkruaj për ty po kaq ftohtë. Po kaq i distancuar për atë që të ka ndodhur siç ke shkruar t’i për të tjerët.

Të tillë janë shumica e profesionistëve të kapur nga dallga e kureshtjes për të zbuluar dhe për t’ju treguar të tjerëve për atë që ka ndodhur sikur të ishin në vendin e ngjarjes.

E ti si gazetar harron krejtësisht që je njeri. Se ke një jetë për të bërë. Se ke një familje. Se ke fëmijë për t’u kujdesur për ta. Se ke shëndet për t’i kushtuar rëndësi.

Ama, ti vazhdon sërish më të njëjtin ritëm duke u zhytur thellë e më thellë. Duke harruar krejtësisht se vije një ditë sa hap e mbyllë sytë dhe gjendesh përballë vdekjes që të shikon në lule të ballit dhe të thërret për të ikur prej këtu. Për të lënë gjithçka.

Ç’të shtynë ky dreq zanati që edhe në orët apo minutat e fundit të jetës, teksa vdekja të shikon në dritë të syrit, t’i sërish shkruan dhe lë një mesazh siç bëri Ganimet Klaiqi kur shkroi: “…Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë. Ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam”./Insajderi.com