A do të takohet sot Haradinaj me kryeministren e Serbisë?

A do të takohet sot Haradinaj me kryeministren e Serbisë?

Dy delegacione të Kosovës dhe Serbisë po qëndrojnë sot në Bruksel ku do të zhvillojnë takime me zyrtarë të BE-së

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e radhës të Këshillit të Stabilizim Asociimit Kosovë-BE.

Dje Qeveria e Republikës së Kosovës, ka shqyrtuar dhe aprovuar dokumentin për qëndrimin shtetëror, në takimin e dytë në Bruksel, për implementimin Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Dokumenti përkushtimin e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të vitit 2016, si thelb të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Fokusi në zbatim është edhe udhërrëfyes i Kosovës drejt arritjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili mbetet prioritet kryesor i Republikës së Kosovës” thuhet në njoftim e djeshëm të Qeverisë së Kosovës.

Por, për një takim të ngjashëm në Bruksel po qëndron edhe Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic. Për dallim nga Kosova Serbia do ta mbajë takimin e katërt me BE-në për implementimin e MSA-së.

Brnabic e ka nisur agjendën e saj me takimin me Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini.

Nuk dihet nëse gjatë qëndrimit në Bruksel do të ketë ndonjë kontakt mes palës kosovare dhe serbe.

Dialogu Kosovë –Serbi ndërmjetësohet nga BE tashmë ka kaluar në nivel Presidentësh. Por, aktualisht në këtë  proces ka një “pauzë”. Nuk dihet nëse europianët kanë paraparë ndonjë takim ndërmjet Haradinajt dhe Brnabic për ta ringjallur procesin.