BE të shkëputë Ballkanin nga prioriteti rus

BE të shkëputë Ballkanin nga prioriteti rus

Ballkani Perëndimor duhet të jetë prioritet strategjik i politikës së Europës. Zgjedhjet me standarte dhe jo “hi syve”duke manipuluar e kërcënuar me kriminelë e para, e bëjnë Shqipërinë më Europiane jo më pak Europiane.

Më vjen mirë që Samiti i sotëm i Sarajevës për Vendet e Ballkanit Perëndimor ka bërë fakt, përmes Deklaratës së Komisionerit Hanh, një ide, të cilën e kam paraqitur në shtator 2016 në Këshill të Stabilizim Asocimit në Bruksel: Krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, ku Komisioni Europian në konsultim me qeverinë, biznesin vendas, organizatat dhe donatorët ndërkombëtarë, dhomat e tregtisë dhe të gjithë aktorët e tjerë relevantë të përgatisë një udhërrëfyes për përafrimin e legjislacionit të tregut të brendshëm, e shoqëruar me rivitalizimin e CEFTA-s, ( Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë), me qëllim intensifikimin e reformave ekonomike, rritjen e besimit të biznesit dhe rritjen e Investimeve te Huaja direkte.

Mungesa e një qasje të koordinuar për të gjithë rajonin për sa i përket përafrimit të legjislacionit të tregut të brendshëm, e ka bërë edhe Ballkanin Perëndimor të lëvizë me 6 shpejtësi të ndryshme drejt BE!

Por megjithëse kjo është e domosdoshme për të sjellë investime në rajon, nëse nuk do shoqërohet me vendime të qarta për ta kthyer Ballkanin Perëndimor në një prioritet strategjik të gjeopolitikës të BE-së, nuk është e mjaftueshme.

Pak kush e di se Ballkani Perëndimor është prioritet i politikës së jashtme Ruse, por asnjëherë nuk ka qenë prioritet strategjik i politikës së jashtme të BE-së.

Ndaj angazhimi i BE-së në Ballkan nuk i del dot nëse mbetet në këto nivele  të ndalë degradimin e politikës në vendet tona.

Nuk arrin as të motivojë qeveritë të jenë tërësisht pro europiane në reforma e të mos e humbasin fokusin me pazarin dhe marifetet politike.

Ky rajon, ku kemi hisen për të jetuar, me shpejtësi të ndryshme e pavarësisht se me justifikime po aq laramane, jeton një vakuum politik!

Dhe kjo, edhe sepse BE është investuar për të ruajtur stabilitetin e vendeve tona, por standartet demokratike kanë reshkitur drejt zhdukjes. Nuk është rastësore që problemi kryesor në vendet tona është sistemi politik e zgjedhjet.

Zgjedhjet me standarte dhe jo “hi syve”duke manipuluar e kërcënuar me kriminelë e para, e bëjnë Shqipërinë më Europiane jo me pak Europiane.

E tensionuar është situata politike në Kosovë. Zgjedhjet në Maqedoni dhe mosrespektimi i shqiptarëve, nuk po lejojnë krijimin e qeverisë. Pas zgjedhjeve në Mal të Zi, opozita nuk është në Parlament.

Republika Srpska në Bosnjë Hercegovinë ka fituar një referendum për ndarje.

Zgjedhjet Presidenciale në Serbi, janë një sfidë më vete.

E sa herë që procesi i Integrimit Europian në vendet tona bëhet vijë ndarëse për fitore a humbje politike, të parët humbasin qytetarët.

Janë ata që ngelen peng i hajdutëve me pushtet, i matrapazëve politikë, i populistëve që mashtrojnë në prag fushatash e gënjejnë në qeverisje.

Ndaj shpresoj që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos tërheqin vëmendje vetëm kur situatat bëhen të pamundura për t’u injoruar. (Gazeta Shqip)