Të rinjtë shqiptarë “pushtojnë” akademitë e klubeve italiane

Futbollistët shqiptarë po bëhen gjithnjë e më shumë protagonistë në futbollin italian, jo vetëm me skuadrat kryesore të Serisë A, por edhe me akademitë e tyre. Gjatë ditëve të fundit të merkatos ka rënë në sy se të rinj të talentuar i janë bashkuar ekipeve me emër në Serinë A.

Të rinjtë shqiptarë “pushtojnë” akademitë e klubeve italiane

I pari ishte djaloshi i talentuar Andi Zeqiri, i cili kaloi nga radhët e Lozanës te Juventusi. Qendërsulmuesi 17-vjeçar, i cili ka luajtur me kombëtaret e moshave të Zvicrës, i është bashkuar në huazim për një vit akademisë së bardhezinjve duke shpresuar që të sigurojë një transferim përfundimtar.

Gjatë ditës së sotme, një tjetër lojtar i ri ka hedhur hapat e parë drejt profesionalizmit. Qemal Sinani, i cili në fillimin e këtij muaji ishte i grumbulluar me kombëtaren U-15 të Shqipërisë, ka kaluar në huazim nga Imolese te Bolonja, një tjetër ekip i Serisë A, shkruan mediumi shqiptar Panorama Sport,

Ndërkaq, edhe mesfushori ofensiv 17-vjeçar kosovar, Ardit Gashi, ka kaluar nga Xhiorxhone te Torino, klub i cili e kishte dhënë huazim për një sezon në mënyrë që të luante më rregullisht. Edhe pse ende 17-vjeçar, ai pritet që t’i bashkohet skuadrës së të rinjve të Torinos.