Të rinjtë: Konkurset shpallen sa për “sy e faqe”

Të rinjtë: Konkurset shpallen sa për “sy e faqe”

Konkurset për vende pune, si në institucionet shtetërore, po ashtu edhe në sektorin privat, të rinjtë në Kosovë i konsiderojnë vetëm formale.

Ata thonë se nepotizmi është i pranishëm në të gjithë sektorët. Sipas tyre, për shkak të ndikimeve politike, gjetja e një vendi të punës, pavarësisht shkollimit që mund të kesh, është shumë e vështirë.

Fatlume Rrahmani, studente në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se “është shumë vështirë për me gjet një vend pune sepse mundesh me pas diplomën Bachelor, Master, po pa pas diçka që ty mundet me të ndihmu ose dikon që është ma i lartë se ti veç atëherë ti mundesh me gjet një vend të punës”, është shprehur ajo.

Po ashtu edhe Bashkim Xhabali, student ka pohuar se për të gjetur një vend pune është shumë e vështirë.

Ai është shprehur se “e di që do ta përfundoj fakultetin edhe në fund do të mbetem, i pa punësuar, pa pas dikon të njofshum në qeveri ose në ndonjë vend punës ku dëshirojë unë të punësohem është shumë e vështirë”, ka thënë ai.

Ndërsa në pyetjen se sa ju besoni konkurseve në institucionet publike dhe private, studentët janë shprehur se nuk i besojnë aspak dhe se ai konkurs pune është vetëm formal.

Endrit Osmani, student ka thënë se “nuk ju besoj hiç se krejt me të njofshum, ma përpara i marrin njerëzit e vetë se sa neve”.

Gjithashtu edhe Jetmirë Ukshini, është shprehur se kryesorja për të hyrë në punë është kesh dikën të afërm ja të paguash një shumë parash.

“Kjo është gja kryesore ja duhet me pas të njofshum, ja duhet me ju bo pagesa paraprake personit adekuat për mu inkuardu ose me hi” është shprehur ai.

Papunësia në Kosovë ka prekur më së shumti të rinjtë. Shifrat zyrtare tregojnë se rreth 60 përqind e të rinjve janë të papunë.