Të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë e dënojnë mbajtjen një minutë heshtje për kriminelin e luftës Haradin Bala

Të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë e dënojnë mbajtjen një minutë heshtje për kriminelin e luftës Haradin Bala

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Serbia) përmes një komunikate për media e dënojnë ashpër nderimin e kriminelit të luftës Haradin Bala në Parlamentin e Kosovës.

Bala është i vetmi anëtar i UÇK-së i dënuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës. Po ashtu organizatat e dënojnë veprimin e autoriteteve serbe për përfshirjen e Vinko Pandureviç, i dënuar për krime lufte në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, në dialogun e brendshëm mbi Kosovën.

Organziatat kujtojnë se në aktgjykimin e parë të shpallur më 30 nëntor 2005, Bala u dënua me 13 vjet burg për torturë, trajtime çnjerëzore dhe vrasje në lidhje me keqtrajtimin e tre të burgosurve në kampin-burg e Llapushnikut. Ai kishte rol në “mbajtjen dhe zbatimin e kushteve çnjerëzore në kamp”, duke ndihmuar në vrasjen e një të burgosuri dhe duke marrë pjesë në vrasjen e nëntë të burgosurve të tjerë, të cilët u dërguan në malin Berisha dhe u vranë më datë 25 ose 26 korrik të vitit 1998. Dënimi i tij u konfirmua më 27 shtator 2007 në aktgjykimin e shkallës së dytë në rastin Limaj et al., ku Fatmir Limaj dhe Isak Musliu u shpallën të pafajshëm.

“Ndërsa, vetëm dy ditë më parë, me ftesë të Zyrës të Qeverisë të Serbisë në Kosovë, Vinko Pandureviç ishte ftuar si ekspert në tryezën e rrumbullakët në kuadër të dialogut të brendshëm të Kosovës.  Pandureviç, ish- komandant i Brigadës të Ushtrisë të Republikës Serbe, u dënua me 13 vjet burg në bazë të komandës dhe përgjegjësisë individuale për vrasjet, shfarosjen dhe përndjekjet në Srebrenicë dhe vendet përreth gjatë muajit korrik të vitit 1995”, thuhet në komunikatën e përbashkët të dy organizatave.

Sipas tyre, krimet e Pandureviç janë kualifikuar si krime kundër njerëzimit dhe shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës.

“Kështu, ne i bëjmë thirrje qeverisë të Kosovës dhe Qeverisë të Serbisë që të ndalojnë nderimet e kriminelëve të luftës dhe të përqendrohen në procesin e pajtimit duke punuar së bashku dhe me vendet e tjera të rajonit për të krijuar Komisionin Rajonal për Vërtetimin e Fakteve mbi Krimet e Luftës dhe shkeljet e tjera të Rënda të të Drejtave të Njeriut të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se krijimi i këtij komisioni mbështetet nga Nisma për KOMRA.

“Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mos hezitojnë së punuari në arritjen e drejtësisë për viktimat e luftës dhe të mos pengojnë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës të Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

Në anën tjetër, organizata konstatojnë se është përgjegjësi e autoriteteve në Serbi që të mos përfshijnë kriminelët e luftës si Lazareviç, Sainoviç dhe në rastin e fundit, Pandureviç, në dialogun e brendshëm mbi Kosovën por as në ndonjë detyrë tjetër publike.

Sipas tyre, shteti i Serbisë ka për obligim të ndjek penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime lufte, por edhe të shfrytëzoj sistemin e edukimit formal për të nxitur kulturën e përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë.

“ Ne, si brez i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nderimit të kriminelëve të luftës. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë rrëfimet e njëanshme të historisë dhe do të punojmë për të edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve. Ne i bëjmë thirrje të dy qeverive, që të dalin përtej deklaratave dhe të bëjnë hapa konkretë në procesin e pajtimit. Ne besojmë se asnjë marrëveshje e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve nuk do të mund të sjellë paqe dhe zhvillim për të dyja shoqëritë, pa u dënuar të gjithë kriminelët e luftës dhe pa u nderuar të gjitha viktimat e luftës nga të dyja shtetet”, thuhet në fund të komunikatës.