Jo më kot Borusia e Dortmundit dhe Shalke 04 duan që ta joshin për të kaluar në Bundesligën gjermane. Taulant Xhaka ka treguar këtë gjysmë sezoni te Bazeli se mbetet një prej me" />

Më të mirët e Zvicrës, Taulant Xhaka në listë

Më të mirët e Zvicrës, Taulant Xhaka në listë

Jo më kot Borusia e Dortmundit dhe Shalke 04 duan që ta joshin për të kaluar në Bundesligën gjermane. Taulant Xhaka ka treguar këtë gjysmë sezoni te Bazeli se mbetet një prej mesfushorëve difensivë më të mirë të kampionatit helvetik dhe jo vetëm.

Futbollisti kosovar që luan me kombëtaren kuqezi është mes atyre që janë nominuar për ekipin më të mirë të vitit në Superligën e Zvicrës.

Më 30 janar do të mbahet mbrëmja gala e e futbollit zviceran “SFL Avvard Night”, ku do të ketë si protagonistë shumë futbollistë shqiptarë të përzgjedhur mes kandidatëve për t’u bërë pjesë e “Skuadrës së vitit” si në Superligë, ashtu edhe në kategorinë e dytë. Ata kanë shkëlqyer në edicionin e kaluar dhe sigurisht që pritet të kenë orët e tyre të famës edhe në mbrëmjen e veçantë të futbollit zviceran.

Në formacionin ideal të këtij edicioni për Superligën e Zvicrës, mes emrave që mund të përzgjidhen, është edhe ai i Taulant Xhakës, gjithnjë e më shumë lider te Bazeli, skuadër që po dominon kampionatin. Përkrah tij është edhe shqiptari që luan për Maqedoninë, Ezgjan Alioski i Luganos.

Në Challenge League nuk mund të mungonin emrat e dy futbollistëve shqiptarë të Zyrihut, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku, edhe pse ky i fundit tashmë ka kaluar në Superligë, në radhët e Luganos dhe do të vazhdojë atje pjesën e mbetur të sezonit.

Në listën e sulmuesve në këtë kategori gjendet edhe emri i kosovarit 20-vjeçar të Schaffhausen, Shkëlqim Demhasaj, i cili është një nga zbulimet e sezonit në Zvicër, ku në 18 ndeshje ka shënuar 8 gola.