“Të lirohen Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi”

24.11.2017 11:52
“Të lirohen Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi”

Deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi janë arrestuar në hyrje të Kuvendit të Kosovës, teksa po shkonin për të marrë pjesë në seancën e rregullt parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje konstaton se arrestimi i tyre është bërë në mënyrë të dhunshme, me ç’rast është përdorur edhe sprej, nga çfarë kanë mbetur të lënduar deputetë e aktivistë.

“Ky arrestim ndaj deputetëve tanë për shkak të kundërshtimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e zi dhe “Zajednicës”, është vazhdimësi e mendësisë së qeverisë së kaluar. Me këto arrestime dhe persekutime ndaj deputetëve dhe aktivistëve të opozitës, qeveria e Ramush Haradinajt po tregon vendosmërinë e saj për të ndjekur rrugën e dy qeverive të mëhershme – qeverisë Thaçi dhe qeverisë Mustafa”, thuhet në një komunikatë të VV-së.

Sipas tyre, një gjë e tillë është e papranueshme, dhe asnjë veprim nuk do të mund në asnjë mënyrë t’i jetësojë më këto marrëveshje, të cilave iu ka dhënë fund rezistenca e fuqishme qytetare, pjesë e të cilës dikur ishte edhe vetë Haradinaj, i cili tashmë për të ruajtur karrigen, është shndërruar në vegël të PDK-së dhe Listës Srpska.

Sipas VV-së, deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi duhet të lirohen sa më parë dhe procesi politik ndaj tyre të marrë fund. Qeveria e Kosovës dhe gjykatat e stërmbushura me gjyqtarë të korruptuar nuk mund ta cenojnë shtetësinë e Kosovës e nuk mund të shkelin mbi vullnetin qytetar.

“Ne jemi të vendosur fuqishëm kundër marrëveshjeve të dëmshme për vendin tonë, dhe kushdo që tenton që këto marrëveshje t’i ringjallë sërish, ka për të hasur në rezistencë edhe më të fuqishme qytetare. Mbrojtja e Republikës së Kosovës është domosdoshmëri, ndaj me asnjë kusht s’do të lejojmë që interesi i saj të cenohet”, thuhet në komunikatë.

Sipas VV-së, asnjë tentativë për ta heshtur apo zmbrapsur Lëvizjen nuk ka funksionuar në të shkuarën e aq më pak do të funksionoj tash.