U.d i ministrit urdhëron diplomatët të kthehen në punë të mërkurën

U.d i ministrit urdhëron diplomatët të kthehen në punë të mërkurën

Vetëm një ditë pasi u emërua si ushtrues i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj ka ndërmarr veprimin e parë të rëndësishëm si shef i diplomacisë kosovare. Demaj u ka dhënë ultimatum të gjithë diplomatëve kosovare nëpër botë që të kthehn në punë të mërkurën, edhe nëse ndodhen në pushime.

Ushtruesi i detyrës së kryediplomatit të Kosovës ka thënë sot për Gazetën Online Insajderi se përmes zyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, i është dërguar një ultimatum diplomatëve kosovarë.

“Sot edhe një herë nga zyra e Drejtorit të Përgjithshëm i është dërguar një email që të gjithë diplomatëve, që të mërkurën të kthehen në vendet e tyre të punës të gjithë diplomatët”, ka thënë Demaj.

Ky ultimatum ka të bëjë me kthimin në punë të mërkurën, për të gjithë dipolomatët, pasi siç ka thënë Demaj, do të bëhen përgatitje për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

“Po them që do të jetë shumë e vështirë, por sidoqoftë, pavarësisht nëse kanë pushim më shumë apo më pak. Kjo po bëhet me shkak për t’u përgatitur për INTERPOL”, ka thënë ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme.

Demaj ka njoftuar për planin e tij në krye të ministrisë, edhe pse qëndrimi tij në këtë post mund të jetë i shkurtër. Madje, më i shkurtër se sa një javë. Ai ka thënë se do t’i vazhdojë proceset e ngleura në gjysmë nga ish-ministri Enver Hoxhaj.

“Kryesisht e kam mbuluar fushën e diplomacisë ekonomike. Në gjithë ato organizime që i kemi pasur gjithë ato organizime, si forume ekonomike. Ndërsa tash natyrisht në ato procese ku kanë ngelur do t’i vazhdojmë. Jemi duke e përgatitur atë logjistikën për mbështetje të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë për INTERPOL”, ka thënë Demaj. /Insajderi.com